MENU
klinika

Pa u miratuar projekti në parlament

Kompania merr prenotime për apartamente në Portin e Durrësit

23.11.2022 - 10:37

Porti i Durrësit është kryefjala e debatit politik dhe akuzave të opozitës ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama për korrupsionin që fshihet pas tij. Projekti sapo mbylli diskutimet në komisionet parlamentare, pasi u fut në mënyrë të përshpejtuar në Kuvend, për të shkuar drejt votimit.

Megjithatë, duket se qeveria do ta përfundojë atë që ka nisur. Në portin e Durrësit, të cilësuar nga opozita si një prej projekteve më korruptive të Evropës, prej një viti është çelur një zyrë luksoze, e cila njeh të interesuarit me projektin dhe apartamentet që do të shiten. Hapja e zyrave për shitjen e apartamenteve në portin e Durrësit, të lë të kuptosh se votimi i projektit nga deputetët në seancë ka vlerë formale, se ai është i paracaktuar nga Kryeministri Edi Rama dhe se ligjvënësit socialistë thjesht do të ngrenë kartonin jeshil, pa e vënë në diskutim nëse ky projekt është apo jo në interes të publikut.

“News 24” u interesua pranë zyrave luksoze të kompanisë “Eagle Hills” në portin e Durrësit dhe mësoi se gjithkush mund të paraqitet dhe të prenotojë një apartament apo njësi shërbimi në këtë zonë.

Çmimet për metër katror ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht, por punonjësit e kompanisë thonë se ato do të jenë rreth 1500 euro për metër katror. E ndërkohë që detajet e marrëveshjes sapo u diskutuan në komisionet parlamentare, kompania vazhdon e pa shqetësuar aktivitetin e saj tregtar, duke e bërë fakt të kryer atë që mazhoranca pritet ta noterizojë këtë të enjte.

Në të njëjtën seancë që pritet të jetë maratonë është caktuar që të miratohet edhe projektbuxheti i vitit 2023, mesa duket për të mbingarkuar opinionin publik. Akuzave të opozitës për hapjen e një zyre që shërben për marrjen e prenotimeve, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, nuk e përgënjeshtroi, por tha se deri tani nuk kishte asnjë kontratë shitblerjeje, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e marrjes së porosive nga klientë të ndryshëm që duanë të ketë “hapësirën” e tyre në portin e ri të Durrësit.

AKUZAT
Opozita e ka akuzuar qeverinë për projektin e portit të Durrësit, duke e cilësuar si më të korruptuarin në Evropë. Sipas saj, ky port dhe hapësira e tij e konsiderueshme po u merret shqiptarëve dhe po i jepet një kompanie që burimin e saj e ka në një kompani “offshore”. Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, deputetët e opozitës kanë hedhur dritë mbi projektin, duke zbuluar detaje të marrëveshjes dhe kontratës mes shtetit dhe kompanisë që do të zbatojë projektin e vlerësuar sipas qeverisë, 2.1 miliardë dollarë.

“Nuk do i investojë ai, mos gënjeni. Do i investojnë njerëz ku Edi Rama dhe banda në pushtet ka fshehur lekët e korrupsionit. Gjeje ku do i investojë 2.1 miliardë euro. Gjeje në marrëveshje. Po japim 630 milionë euro dhe marrim mbrapsht 280 milionë euro”, tha deputeti Gazment Bardhi në Komisionin e Ligjeve.

Së pari, për realizimin e një projekti të tillë nuk ka pasur garë dhe për transparencë është caktuar investitori Arab Muhamed Alabbar të jetë zhvilluesi i këtij projekti. Sipas opozitës, qeveria ka përcaktuar fituesin dhe marzhat e tij të fitimit në disfavor të shtetit. Së dyti, në marrëveshje mes dy palëve sipas opozitës i humbur është shteti, pasi nuk ka përcaktuar asnjë masë ndëshkimore nëse projekti nuk zbatohet apo kalon përtej afateve. Kompania do të marrë tokën, shfrytëzojë dhe marrë fitimin, ndërsa shteti do të marrë shumë më pak se i takon nga kjo marrëveshje.

“Afera 2 miliardë euro e portit Durrësit është tashmë e qartë për të gjithë dhe zhurmon shumë fort. Interesa të mëdha, të errëta dhe të shtrira në 360 gradë janë pleksur keq në të. Pasuria kombëtare është sot në duar të mafiozëve, që po e zhvatin për interesat e tyre dhe egërsisht kundër shqiptarëve. SPAK-u nuk mund të heshtë, pasi heshtja e tij është bashkëfajësi”. Projekti i portit të Durrësit pritet t’i shërbejë qeverisë shqiptare, e cila e ka pranuar se marrëveshja për zhvillimin e tij do jetë “trampolinë” nga të huajt për të marrë nënshtetësisë shqiptare ose ai që njihet si projekti i “Pasaportave të arta”.