Tabloidi i njohur zviceran “Blick” i ka kiushtuar një shkrim të gjatë Granit Xhakës, rolit të tij si kapiten në fitioren e mbrëmshme ndaj Serbisë, por edhe mënyrës së festimit me fanellën ku shkruhej “Jashari” dhe përplasjet që pati gjatë lojës.
Në këtë vorbull, frika te helvetët është se mos nis ndonjë procedim disiplinor nga FIFA dhe Zvicra mbetet pa kapitenin në sfidën e radhës, në 1/8 finale të “Katar 2022”. Ja shkrimi i plotë i “Blick”:
“Kur vuloset fitorja dhe hyrja në fazën me eliminim direkt, kombëtarja feston. Në mes është edhe Xhaka, kapiteni dhe lideri, i cili tregoi një lojë të fortë. Ai siguroi që Zvicra të rifitonte stabilitetin e saj të zakonshëm pas një pjese të parë konfuze.
Në fund, Xhaka e lejoi veten të festonte me tifozët zviceranë, duke veshur fanellën me numrin 26 të bashkëlojtarit të tij, Ardon Jashari. Menjëherë pas kësaj, interpretimet e para shfaqen në internet. Veprimi i Xhakës interpretohet si aludim për heroin popullor kosovar Adem Jashari dhe si provokim politik.
Jashari ishte bashkëthemelues i organizatës paraushtarake UÇK dhe një nga protagonistët në luftën e Kosovës për pavarësi nga Serbia. Aeroporti i Prishtinës mban emrin e Adem Jasharit. Familja e Xhakës ka një histori.
I ati, Ragipi u arrestua gjatë një demonstrate në atë që ishte Jugosllavia e atëhershme në vitet 1980. Arsyeja? Rebelim kundër shtetit. Ai burgoset dhe torturohet çdo ditë për gjashtë muaj. Kur u lirua, u arratis në Zvicër, ku Graniti lindi në vitin 1992.
A do ta arrijë historia dhe ngjarjet e vitit 2018 kapitenin e kombëtares në Katar? Festimet me shqiponjën dykrenare nga ai dhe Shaqiri si pasojë e provokimeve serbe çuan në një aferë shtetërore në Rusi, pas duelit kundër Serbisë.
Edhe për këtë fakt, kombëtarja duket se e humbi fokusin në atë turne. A do të ketë sërish telashe? I pyetur për veprimin e tij, Xhaka thotë: “Nuk ka fare mendim politik. Ardoni është një djalë që më pëlqen shumë dhe kaloj shumë kohë me të çdo ditë. Në moshën e tij isha pothuajse aq larg sa ai. Dhe ai merr shumë këshilla nga unë. I kam premtuar se nëse shënoj gol ose fitojmë do t’ia vesh fanellën”.
Loja ishte e qetë për një kohë për kapitenin e kombëtares. Pas një ore të mirë, emocionet janë të larta për herë të parë. Pas një provokimi të Mitrovic, para pankinës serbe nis sherri. I pranishëm ishte edhe Xhaka, i cili i kapi organin gjenital me dorë. Një provokim i panevojshëm.
Mirëpo, edhe zviceranët janë provokuar. Gjatë pjesës së dytë, spikerja e stadiumit iu bëri thirrje tifozëve serbë që të përmbaheshin nga thirrjet fyese. Temperaturat u ndezën përsëri në fushë, në kohën e lëndimit, kur Xhaka dhe kundërshtari i tij Milenkovic u përplasën kokë më kokë pas një zënke të vogël. Kapiteni i kombëtares shpëton me një paralajmërim.
Pak kohë më vonë ndeshja mbaroi. “Nati” është në 16-she, lojtarët brohorasin fitoren dhe suksesin. Edhe Xhaka, me fanellën që shkakton diskutime. Nëse veprimet e tij do të kenë pasoja, mbetet për t’u parë. Deri më tani, Komisioni Disiplinor i FIFA-s nuk ka reaguar.”