Ndonjëherë duket sikur e gjithë jeta jonë është e lidhur me telefonat, me gjithçka që nga tekstet, emailet, mediat sociale, kalendarët, muzika dhe listat e blerjeve të ruajtura në pajisje.
Një raport i fundit nga “Data.ai”, zbulon se njerëzit kanë shpenzuar 4.1 trilionë orë duke qëndruar para ekraneve të telefonave për vitin 2022.
Ndërsa shumë shohin përfitime në telefonat inteligjentë që lejojnë një person të lidhet me pjesën tjetër të botës në çdo kohë të caktuar, hulumtimet tregojnë se pajisjet mund të dëmtojnë shëndetin tonë mendor dhe fizik.
Vlerësohet se amerikanët shpenzojnë mesatarisht pesë orë në telefonin e tyre çdo ditë.
Përdorimi i shpeshtë i telefonave inteligjentë është lidhur me shumë dëme të mundshme. Një studim i vitit 2017 nga studiues turq zbuloi se studentët e universitetit që ishin të varur nga telefonat e tyre kanë më shumë gjasa të vuajnë nga vetmia ose agresioni.
Me vetminë vijnë edhe çështjet e shëndetit mendor dhe një studim i vitit 2021 nga studiues izraelitë e lidhi përdorimin e tepërt të telefonave me ankthin, depresionin dhe problemet e lidhura me to, si drojë dhe vetëvlerësim të ulët.
Njerëzit e varur nga telefonat inteligjentë gjithashtu shpenzojnë më pak kohë duke u ushtruar dhe duke marrë pjesë në aktivitete të tjera fizike, duke çuar në ulje të niveleve të fitnesit fizik, zbulon i njëjti studim. Ndërsa disa nga këto çështje lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e aplikacioneve të mediave sociale si “Instagram”, “Facebook” dhe “TikTok”, varësia nga telefonat i mban fëmijët brenda dhe çon në zhvillimin e zakoneve të këqija.
Drita blu e emetuar nga pajisjet dihet gjithashtu se shkakton probleme me gjumin, me ekspertët që paralajmërojnë se telefonat inteligjentë janë një pjesë kyçe për një krizë në rritje të mungesës së gjumit tek adoleshentët. Prevalenca e pajisjeve inteligjente ka çuar gjithashtu në fenomenin e ‘bebeve iPad’ – fëmijë që kalojnë pothuajse të gjitha orët e zgjuara të lidhur me një ekran.
Disa ekspertë gjithashtu kanë frikë se ky brez fëmijësh do ta ketë më të vështirë të krijojë miq kur të rriten, pasi ata kanë aftësi të pazhvilluara të komunikimit personal.
Ata gjithashtu mund të pësojnë probleme me shikimin në moshë të re nga qëndrimi i vazhdueshëm në këto ekrane.
Telefonat inteligjentë janë pajisje relativisht të reja në jetën e përditshme, që do të thotë se nuk ka shumë kërkime për mënyrat më efektive për të larguar varësinë.