Pas eliminimit nga Champions League, Drita e Gjilanit, kampionia e Kosovës, ka vijuar rrugëtimin në Europa League, teksa humbi ndeshjen e parë në fushën e Dudelange (Luksemburg) me rezultatin 2-1.
Megjithatë, kampionët e Kosovës kanë shanse kualifikimi, falë atij goli të shënuar nga Shabani në fushë kundërshtare.
Skuadra kosovare, në fakt, ishte në avantazh pas pjesës së parë, por më pas gjithçka u përmbys dhe, sipas trajnerit të saj, Bekim Isufit, qëllimisht nga gjyqtarët qipriotë:
“Ishte një ndeshje e vështirë, në një kohe të nxehtë, por ne dhamë maksimumin. Patëm shumë raste shënimi, por edhe kundërshtari pati raste njësoj.
Vlen të theksohet se gjithë takimit kemi qenë pre e një skenari të 4 arbitrave nga Qipro, vendimet e të cilëve ndikuan plotësisht ne rezultat, jo vetëm te penalltia, por gjatë tërë ndeshjes.
Po ashtu, duhet theksuar se kundërshtari në shumë raste nuk respektoi ‘fair play’-n ndaj nesh. Duhet të mobilizohemi dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e kthimit.
Na duhet përkrahja e gjithë simpatizantëve të futbollit të Kosovës e në veçanti ajo e ‘Intelektualëve’, që këtyre djemve t’u japin motiv dhe t’i përkrahin në ndeshjen e kthimit”, – ka thënë trajneri Isufi pas ndeshjes së djeshme në Luksemburg.