Shefi i motorit kërkues të Google ka bërë thirrje për kujdes ndaj “grackave” të inteligjencës artificiale në chatbots në një intervistë, ndërsa kompania mëmë Google Alphabet lufton për të konkurruar me aplikacionin e suksesshëm ChatGPT.
“Ky lloj i inteligjencës artificiale për të cilën ne po flasim tani ndonjëherë mund të çoi në atë të cilën ne e quajmë halucinacion”, deklaroi Prabhakar Raghvan, zëvendës president i parë në Google dhe kreu i Google Search, për gazetën gjermane Welt am Sonntag, raporton Reuters.
“Kjo pastaj shprehet në atë mënyrë që një makinë jep një përgjigje bindëse, por plotësisht të sajuar”, tha Raghavan në komentet e publikuara në gjermanisht. Një nga detyrat themelore, shtoi ai, ishte mbajtja e kësaj në minimum, përcjell Telegrafi.
Google ka mbetur prapa pasi që OpenAI, një startup të cilin Microsoft po e mbështet me rreth 9.34 miliardë euro (10 miliardë dollarë), në nëntor prezantoi ChatGPT, aplikacion i cili që atëherë ka mahnitur përdoruesit me përgjigjet e tij jashtëzakonisht të ngjashme me njeriun ndaj pyetjeve të përdoruesve.
Alphabet Inc prezantoi Bard, chatbotin e vet, në fillim të kësaj jave, por softueri ndau informacione të pasakta në një video promovuese në një gafë që i kushtoi kompanisë 93.44 miliardë euro (100 miliardë dollarë) në vlerë tregu të mërkurën.
Alphabet, i cili ende po kryen testimin e përdoruesve në Bard, nuk ka treguar ende se kur aplikacioni mund të dalë publik.