MENU
klinika

Serie A, java 15

“Poker” i Napolit, “blindon” vendin e dytë

08.12.2018 - 16:57

Napoli e ka zgjidhur lehtë ndeshjen e javës së 15-të të Serie A, teksa ka fituar 4-0 në shtëpi me Frosinonen, duke “blinduar” kështu vendin e dytë në kampionat, pasi është shkëputur me 6 pikë pikë nga Inter, ndërsa me kreun e ndajnë 8 pikë.

Skuadra e hedhur në fushë nga Carlo Ancelotti ka qenë formacioni më i ri (25 vjeç, 243 ditë) i Napoli-t që nga shtatori i 2009-ës. Shatë minuta lojë i kanë mjaftuar vendasve për të zhbllokuar ndeshjen, me Zielinski-n që ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë pasimin e marrë nga Insigne brenda zonës së rreptësisë.

Pesë minuta para fundit të pjesës së parë ka ardhur edhe goli i dytë i napolitanëve, i shënuar nga Adam Ounas, i cili ka mposhtur portierin mik me një goditje nga 25 metra.

Rastet për gol nuk kanë munguar për vendasit as në pjesën e dytë dhe në minutën e 69-të ka ardhur edhe goli i tretë, i shënuar nga Milik. Polaku ka qenë protagonist edhe në minutën e 85-të, duke shënuar golin e dytë personal dhe duke fiksuar shifrat në 4-0.

Lajme te mira edhe për mbrojtësin e kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, i cili ka qenë titullar sot dhe është kthyer të luajë 90 minuta të plota pas më shumë se një muaji.