Pas një humbjeje dhe tre barazimeve radhazi, Manchester United është rikthyer te fitorja, duke mposhtur në shtëpi 4-1 Fulham. Më në fund, pak qetësi edhe trajnerin Mourinho. Ndërkohë, Arsenalit i ka mjaftuar një gol përballë Hudersfield për të marrë vendin e tretë.
Djajtë e nisën mirë ndeshjen dhe gjejnë golin e avantazhit në minutën e 13’ falë golit të Ashley Young. Veterani anglez ka lëshuar një të djathtë të përsosur në hyrje të zones, duke mposhtur portierin Rico.
Në minutën e 28’ erdhi goli i dytë i vendasve me Juan Mata, i cili ka shënuar golin e 50-të në Premier League me një goditje të bukur nga brenda zonës.
Pak minuta përpara se të përfundonte pjesa e parë, ishte Romelu Lukaku ai që u zhbllokua, duke shënuar golin e parë në “Old Trafford” pas shumë muajsh. Mourinho duket i kënaqur me të tijtë nga stoli, por pjesa e dytë ishte më e dobët dhe Fulham arrin të shënojë nga pika e bardhë e penalltisë me Kamara në minutën e 67’.
Gjithsesi, vetëm dy minuta më pas Andre-Frank sheh kartonin e dytë të verdhë për miqtë dhe duhet të dalë nga loja. Në minutën e 83’ erdhi goli i merituar i Marcus Rashford. Talenti anglez ka goditur nga një pozicion i pamundur duke kapur në befasi portierin kundërshtar.
Ndërkohë, Arsenal ka vuajtur jashtë mase ndaj Huddersfield, por gjithsesi, ka marrë fitoren në fund të takimit, teksa rezultati përfundimtar është 1-0. Topçinjtë kanë shfaqur lodhjen e akumuluar pas dy sfidave të vështira ndaj Tottenham dhe Manchester United.