MENU
klinika

Ja çfarë thotë studimi i fundit

A shtohen vdekjet nga sulmet në zemër gjatë valëve të të ftohtit?

22.02.2023 - 13:32

Një studim i Universitetit të Harvardit analizoi të dhënat nga shumë vende të botës, duke zbuluar se ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme të nxehta dhe të ftohta lidhet me një rrezik në rritje të vdekshmërisë nga sëmundjet e zakonshme kardiovaskulare.

Sot kemi një klimë gjithnjë në ndryshim, të karakterizuar nga ngjarje ekstreme. Bazuar në faktin se sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, studimet ekzistuese mbi lidhjen midis temperaturave dhe vdekjeve kardiovaskulare kanë qenë të kufizuara në zonat gjeografike.

Po ashtu ato kanë analizuar lidhjen midis vdekjeve kardiovaskulare në total dhe vdekjeve kardiovaskulare specifike për këtë shkak. Në një studim të botuar së fundmi në revistën “Circulation”, kryer nga Barrak Alahmad, i Departamentit të Shëndetit Mjedisor të Shkollës së Shëndetit Publik të Harvardit në Boston, efektet e temperaturave ekstreme u vlerësuan nga Rrjeti Bashkëpunues Multi-Country Multi-City, si për temperaturat më të larta po ashtu edhe ato të ulëta në sistemin kardiovaskular.

Ky është një studim shumë i gjerë mbi marrëdhëniet që ekzistojnë midis kushteve klimatike dhe zemrës, dhe përfshiu 567 qytete të ndryshme në 27 vende të botës, përfshirë Italinë, të shpërndara në 5 kontinente, në një periudhë kohore që varion nga viti 1979 dhe deri në vitin 2019.

Në këtë studim u regjistruan temperaturat ditore të ambientit specifike të qytetit nga stacione të ndryshme meteorologjike dhe modelet e rianalizimit të klimës. Për të shqyrtuar lidhjet e vdekshmërisë nga shkaqe kardiovaskulare me temperaturat ekstreme të nxehta dhe të ftohta, u përdorën modele të kryqëzuara të rasteve në çdo qytet.

Më pas u përdor një bazë metaanalitike e të dhënave me efekte të përziera për të bashkuar vlerësimet individuale të qyteteve të ndryshme. Përqindjet e temperaturës ekstreme u krahasuan me temperaturën minimale të vdekshmërisë në çdo vend.

Ndërsa vdekjet e tepërta në krahasim me mesataren u llogaritën për një seri ditësh në rastet e temperaturave ekstreme. Analizat përfshinin vdekjen e më shumë se 32 milionë njerëzve nga të gjitha shkaqet kardiovaskulare: sëmundjet ishemike të zemrës, goditje në tru, sulmi në zemrër dhe aritmia.

Temperaturat që u matën varionin nga -30°C në Helsinki, kryeqytetin e Finlandës deri në 44 gradë Celsius në qytetin e Kuvajtit në shtetin me të njëjtin emër. Për më tepër, në studim u mor parasysh edhe veprimi i faktorëve të tjerë si lagështia,ndotja e ajrit dhe shkaqe të tjera që mund të zhvlerësojnë të dhënat e marra.

Rezultoi se ditët më të nxehta shkaktuan mesatarisht 2.2 vdekje më shumë për çdo 1 mijë vdekje nga shkaqet kardiovaskulare. Ndërsa ditët më të ftohta shkaktuan një numër edhe më të lartë, 9.1 vdekje në 1 mijë. Konkretisht, në ditët më të nxehta krahasuar me ditët e tjerat, një rritje e rrezikut të vdekshmërisë midis 7-10 për qind për isheminë kardiake ose cerebrale dhe 12 për qind për atakun në zemër.

Por në ditët më të ftohta situata është më e keqe. Por ka edhe një lloj ekuilibri. Në fakt, rreziku i rritur ndaj ishemisë kardiake ose cerebrale është 32.5 për qind më shumë sesa në ditët me temperatura normale. Prandaj ka një kombinim të qartë midis temperaturave ekstreme dhe rrezikut kardiovaskular.

Nuk është hera e parë që vërehen rezultate të tilla. Në të kaluarën në të njëjtin përfundim arriti edhe Samed Katana dhe ekipi i tij nga Shkolla e Mjekësisë Perelman e Universitetit të Pensilvanisë në Filadelfia. Në atë rast, studiuesit analizuan marrëdhënien midis nxehtësisë ekstreme dhe vdekshmërisë kardiovaskulare gjatë një periudhe 10-vjeçare.

Dhe u vu re se vdekshmëria mesatare mujore kardiovaskulare ishte midis 22-26 persona për 100.000 banorë. Çdo ditë shtesë e të nxehtit ekstrem u shoqërua me një rritje prej 0.12- 0.19 për qind të vdekshmërisë mujore dhe ndikoi veçanërisht mbi sistemin kardiovaskular.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I ftohti ka anët e tij pozitive

9 arsye pse dimri është i mirë për shëndetin