MENU
klinika

Analiza

Kush e hodhi në erë Nord Stream? Misteri e mundon Perëndimin

13.03.2023 - 14:16

Gati gjashtë muaj pas shpërthimeve të fuqishme te tubacionet e gazsjellësit nënujor “Nord Stream”, ngjarje që shkaktoi një tronditje të madhe gjeopolitike në mbarë botën shtatorin e vitit të kaluar, nuk ka ende një përgjigje përfundimtare për pyetjen se kush është autori.

Disa nxituan të fajësojnë direkt Rusinë, për shkak të historisë së saj së gjatë me teknikat e luftës hibride, por edhe e motivuar nga frikësimi i Europës në mesin e një lufte të ashpër ekonomike për furnizimin me gaz. Por ka kaluar gjysmë viti pa pasur asnjë provë të fortë për këtë apo ndonjë shpjegim tjetër që duhej të kishte dalë nga hetimet e vazhdueshme të autoriteteve në tri vende europiane.

Që nga dita e sulmit, katër shtete – Rusia, SHBA, Ukraina dhe Britania e Madhe – janë fajësuar publikisht për shpërthimet, me shkallë të ndryshme provash. Por disa gjëra dihen me siguri. Siç u supozua gjerësisht brenda disa orësh nga shpërthimi, shpërthimet ishin një akt sabotimi i qëllimshëm.

Një nga tri hetimet, të udhëhequra nga Autoriteti Prokurorial i Suedisë, konfirmoi në nëntor se mbetjet e eksplozivëve dhe disa “objekte të huaja” u gjetën në “skenën e krimit” në shtratin e detit, rreth 100 metra nën sipërfaqen e Detit Baltik, afër ishullit danez Bornholm.

Tani dy raporte të reja mediatike – një nga “New York Times”, dhe tjetri një investigim i përbashkët nga televizionet gjermane “ARD” dhe “SWR”, plus gazeta “Die Zeit” – kanë ngritur tezën e autorësisë së një grupimi pro-ukrainas – edhe pse jo domosdoshmërisht i mbështetur nga Kievi. Ja cilat janë teoritë kryesore mbi fajtorët dhe motivin e tyre:

Teoria nr.1: Fajtor është Vladimir Putini

Mihailo Podoliak, një këshilltar i Volodimir Zelenski, ishte ndër të parët që e shpalosi këtë hipotezën në “Twitter” më 27 shtator, një ditë pasi u zbuluan shpërthimet. Ai e quajti incidentin “një sulm terrorist të planifikuar nga Rusia si një akt agresioni ndaj BE-së”, dhe të lidhur me vendosmërinë e Moskës për të provokuar “panik para dimrit” për furnizimet me gaz në Europë.

Kryeministri polak Mateush Moraviecki la të kuptohet përfshirjen ruse. Por Moska e mohoi përgjegjësinë. Tubacionet e “Nord Stream” janë pjesë e kompanisë ruse Gazprom. Në kohën e shpërthimeve, kompania kishte njoftuar një mbyllje “për një kohë të pacaktuar” të tubacioneve Nord Stream 1, duke përmendur problemet teknike, të cilat BE i quajti” si arsyetime të rreme”.

Ndërkohë, “Nord Stream 2” nuk u fut asnjë ditë në punë. Por pse ruset duhej të hidhnin në erë gazsjellësin, nëse shantazhi i gazit nëpërmjet mbylljes kishte rezultuar tashmë efektiv? Simone Taliapietra, eksperti i energjisë dhe bashkëpunëtor në institutin e mendimit “Bruegel”, tha se Kremlini mund të ketë qenë i përçarë në lidhje me këtë çështje.

“Në atë moment, Putini kishte vendosur të ndalonte plotësisht furnizimin me gaz të Gjermanisë. Shumë njerëz në Rusi mund të kenë qenë kundër kësaj, pasi ishte një burim i madh të ardhurash. Ka të ngjarë që zyrtarët më radikalë të kenë marrë vendimin për t’i dhënë fund debatit duke shkatërruar tubacionet”- thotë ai.

Teoria nr.2: Shpërthimin e kryen britanikët

Udhëheqësit rusë kanë lënë të kuptohet që në fillim se pas sulmit qëndrojnë ose Ukraina ose aleatët e saj perëndimorë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peshkov, deklaroi 2 ditë pas shpërthimeve se Moska nuk kishte asnjë interes për të hedhur në erë “Nord Stream”. Më pas, një muaj pas shpërthimeve, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se “përfaqësuesit e Marinës së Mbretërisë së Bashkuar morën pjesë në planifikimin, mbështetjen dhe ekzekutimin e sulmit”, por pa dhënë asnjë provë. Ministria britanike e Mbrojtjes i cilësoi akuzat “si të shpikura” dhe që synonin të largonin vëmendjen nga disfatat e fundit të Rusisë në fushën e betejës.

Teoria nr.3: Gazsjellësi u shkatërrua nga një komando e SHBA-së

Një artikull i javëve të fundit nga gazetari investigativ amerikan Sejmur Hersh shkaktoi një valë të re spekulimesh. Pretendimi i Hersh: Ishin forcat amerikane, ato që e hodhën në erë “Nord Stream’ me urdhër të drejtpërdrejtë të Xho Bajden. Sipas Hersh, presidenti amerikan synonte të ndërpriste një herë e mirë lidhjen e gazit të Rusisë me Gjermaninë, duke shmangur çdo lloj shantazhi të Kremlinit që nuk mund ta pengonte Berlinin ta mbështeste me vendosmëri Ukrainën.

Artikulli i Hersh u mbështet gjithashtu në komentet publike të Bajdenit në shkurt 2022, pak ditë para pushtimit të plotë të Rusisë, kur u tha gazetarëve se nëse Rusia pushton Ukrainën “nuk do të ketë më Nord Stream 2, pasi ne do t’i japim fund”. Shtëpia e Bardhë e përshkroi artikullin e Hersh si një “trillim krejtësisht të rremë dhe të plotë”.

Teoria nr.4: Varkëtarët misteriozë

Të dhënat e fundit, pas investigimeve të “New York Times” dhe medias gjermane, përqendrohen te një varkë, 6 persona me pasaporta të falsifikuara dhe ishullin e vogël danez Kristianso. Sipas këtyre raporteve, një varkë që u nis nga porti gjerman Rostok dhe u ndal më vonë në ishullin e vogël, është në qendër të hetimeve mbi sulmin ndaj “Nord Stream”.

Prokurori federal i Gjermanisë konfirmoi të mërkurën se një anije e dyshuar se transportonte eksplozivë ishte kontrolluar në janar. Disa prej rreth 100 banorëve të Kristianso thanë për televizonin danez “TV2” se policia e kishte vizituar ishullin dhe kishte bërë hetime.

Po ashtu si “New York Times” edhe raportet e medias gjermane sugjeruan se shërbimet sekrete po flasin në lidhje me sulmint për një grup pro-ukrainas. Megjithëse nuk ka prova se ndonjë urdhër ka ardhur nga qeveria ukrainase. Për më tepër identiteti i autorëve të dyshuar mbetet ende i panjohur.

Shërbimi Danez i Sigurisë dhe Inteligjencës tha se hetimi është në vazhdim. Ndërsa një zëdhënës i Autoritetit Prokurorial të Suedisë tha se informacioni do të ndahej kur të ishte i disponueshëm – por nuk kishte “asnjë afat kohor” se kur do të përfundonin hetimet. Misteri vazhdon.

 

Njeriu i fuqishëm i BE-së

Kush është Manfred Weber?

Darka sekrete në vilën e presidentit të zgjedhur të SHB-ve

Trump “bën për vete” edhe themeluesin e Facebook?!

Presidenti amerikan cakton njeriun që duhet të ndalojë luftën

BE kërkon ndihmën e Trump për të “asgjësuar” Rusinë