Gjykata Evropiane e Drejtësisë(GJED) ka vendosur se Britania e Madhe mund ta anulojë Brexitin pa lejen e 27 anëtarëve të tjerë të BE.
Gjykatësit e GJED-së vendosën se kjo mund të bëhet pa ndryshuar kushtet e anëtarësimit të Britanisë.
Një grup i politikanëve anti-Brexit argumentuan se Mbretëria e Bashkuar duhet të jetë në gjendje të ndalë Brexit, por ata u kundërshtuan nga qeveria dhe BE.
Vendimi vjen një ditë përpara se deputetët të japin votën për marrëveshjen e Theresa Mayt për largimin nga BE. Deputetët tashmë priten gjerësisht të refuzojnë propozimet gjatë një votimi të martën në mbrëmje.
Një zyrtar i lartë i GJED , avokati i përgjithshëm, tha javën e kaluar se ai ra dakord që Britania e Madhe duhet të jetë në gjendje të ndryshojë mendimin e saj për largimin. Mendimi i tij nuk ishte ligjërisht i detyrueshëm, por gjykata ka tendencë të ndjekë këshillat e tij në shumicën e rasteve.
Deklarata e GJED-së tha se mundësia për një shtet anëtar për të ndryshuar mendjen pasi u tha BE-së që dëshironte të largohej do të zgjaste për aq kohë sa nuk ishte rënë dakord për ndonjë marrëveshje tërheqjeje ose për periudhën dyvjeçare pas njoftimit që po dilte. Nëse kjo periudhë dyvjeçare zgjatet, atëherë një shtet anëtar mund të ndryshojë mendjen edhe gjatë asaj kohe shtesë.
Por gjykata tha se vendimi duhet “të ndjekë një proces demokratik”, kështu që në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, ajo duhet të miratohet nga Parlamenti.
GJED tha se vendosi të “qartësonte opsionet për deputetët” përpara se të votohej për marrëveshjen e kryeministres May.
Sekretari i Mjedisit Michael Gove, që e ka mbështetur Brexit, ka thënë se ata që bënin thirrje për votim të dytë ishin “njerëz që kurrë nuk e pranuan atë votim të parë, dhe duan ta përmbysin atë”.
“Ne nuk duam të qëndrojmë në BE. Ne votuam shumë qartë, 17.4 milionë njerëz dërguan një mesazh të qartë se ne duam të largohemi nga Bashkimi Evropian, dhe kjo do të thotë gjithashtu edhe që nuk do të jemi më nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, shtoi ai.
Avokatët e qeverisë britanike gjithashtu argumentuan se rasti ishte thjesht hipotetik pasi “Britania e Madhe nuk ka ndërmend të anulojë njoftimin e saj”.
Rasti u dërgua fillimisht në Gjykatën e Edinburg, i cili përfundimisht pranoi ta kalonte atë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.