MENU
klinika

Shifrat

Cigaret elektronike fitojnë treg, shqiptarët shpenzuan 6,5 mln€

18.03.2023 - 14:08

Cigaret elektronike kanë fituar popullaritet në të gjithë vendin vitet e fundit, me një bazë konsumatorësh në moshë të re, në përqindje të madhe jo konsumatorë të duhanit tradicional.

Të dhënat e importeve tregojnë se vitin e shkuar, doganat përpunuan 1.5 milionë euro mallra të kësaj kategorie, shumica e të cilave kishin si vend origjine Kinën. Me 1.28 milionë euro Kina dominon tregun, që ndiqet në shifra modeste nga Hong Kongu, Franca dhe Britania e Madhe.

Vetë Kina në tregun e saj të brendshëm e ka ndaluar shitjen e cigareve elektronike me shije të ëmbël apo frutash, për shkak të përdorimit nga të miturit. Por lejon lehtësisht eksportin në të gjithë botën, ku është furnizuesi dominant.

Kostot e transportit ndërkombëtar me anije janë pengesa e vetme kur vjen puna tek blerja e këtyre pajisjeve njëpërdorimshme, teksa çmimi për njësi në faqet e kompanive kineze është më pak se sa 2 dollarë për copë. Me këtë çmim mesatar, vendi importoi rreth 753 mijë copë. Dhe për një çmim mesatar shitjeje prej 1000 lekësh, shqiptarët shpenzuan 753 milionë lekë për të thithur dhe lëshuar tym, apo gati 6.5 milionë euro.

Shifrat paraprake të tregtisë për muajt e parë të 2023-it, tregojnë një interes edhe më të lartë për këto pajisje, që ndër të tjera janë bërë trend në TikTok, Instagram dhe programe televizive.