MENU
klinika

Marrëveshja Kosovë-Serbi

BE publikon aneksin e dakordësuar nga Kurti e Vuçiç

19.03.2023 - 10:59

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për implementimin e propozimit europian për normalizimin e marrëdhënieve.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit ka thënë se palët janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.

Kryeministri Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur në Ohër është “njohje de facto”. Megjithatë, Kurti kritikoi sërish Vuçiçin, se po i ikën nënshkrimit të marrëveshjes.

Vuçiç tha se “njëfarë marrëveshje është arritur”. “Jam i kënaqur për këtë, por nuk është e gjitha”, u shpreh Vuçiç.

Pas dakordimit, Bashkimi Evropian ka publikuar pikat e Aneksit të Marrëveshjes.

* Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të implementojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

* Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit do të bëhet pjesë kyçe e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE. Palët marrin shënim se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, lehtësuesja, BE-ja do të nisë procesin për të amandamentuar Kapitullin 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks.

* Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim po ashtu do të reflektojë obligimet e reja të Kosovës që burojnë nga Marrëveshja dhe Aneksi.

* Palët bien dakord që të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

* Për ta implementuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese.

* Palët bien dakord që brenda 30 ditësh të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE-ja.

* Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

* Për ta implementuar nenin 9, BE-ja do të organizojë konferencë të donatorëve brenda 150 ditësh për të krijuar një paketë të investimeve dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë.

* Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë implementuar plotësisht.

* Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

* Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi është pa paragjykim ndaj rendit të implementimit të tyre.

* Kosova dhe Serbia pajtohen të mos e bllokojnë implementimin e asnjërit nen.

* Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

* Kosova dhe Serbia pajtohen se çdo mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Ndryshe, i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për aneksin e zbatimit të propozimt evropian.

Escobar e ka quajtur “marrëveshje të vështirë”, por të domosdoshme për të arritur marrëdhënie paqësore dhe afatgjata.

“Kjo, jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha Escobar para gazetarëve.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!