Shanset janë të pakta që Vladimir Putin së shpejti do të jetë në radhën e të akuzuarve për t’u përballur me akuza penale për luftën e tij të paligjshme në Ukrainë, por gjithsesi rrethi po ngushtohet për diktatorin rus.
Të hënën, administrata Biden miratoi zyrtarisht krijimin e një gjykate speciale për të gjykuar zotin Putin dhe pasardhësit e tij për “krimin e agresionit”, akuzë me të cilën u përballën të pandehurit nazistë dhe japonezë në gjyqet e pas Luftës së Dytë Botërore në Nuremberg dhe Tokio.
Ky hap i rëndësishëm e vuri Uashingtonin në hap me aleatët kryesorë dhe e vendosi Perëndimin në një kurs për t’i mbajtur komplotistët imperialistë të Moskës përgjegjës për luftën më shkatërruese të Evropës në më shumë se shtatë dekada.
Vendimi duhet përshëndetur, edhe pse një sërë pyetjesh ligjore mbetet të marrin përgjigje në vitet në vijim.
Është kritike që trupat dhe komandantët rusë që kanë plaçkitur nëpër Ukrainë të hetohen dhe të gjykohen për krime lufte, përfshirë krimet kundër njerëzimit. Përparimi drejt këtij qëllimi tashmë është duke u zhvilluar, nën kujdesin e hetimeve që përfshijnë Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë dhe Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën.
Janë mbledhur një sërë provash dhe dokumentesh në mbështetje të ndjekjeve penale të ardhshme për vrasjet dhe ekzekutimet e civilëve ukrainas, torturat, dhunën seksuale, ndarjet me forcë të fëmijëve nga familjet e tyre dhe granatimet e infrastrukturës civile.
Por do të ishte një projekt i paplotë dhe i padrejtë për ushtarët, pa i vënë në radhë të parë zotërinjtë e tyre në Kremlin përgjegjës për vendimin për të nisur një luftë të paligjshme.
GJPN-ja ndërmori një hap të rëndësishëm këtë muaj duke lëshuar urdhra arresti për Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për rolet e tyre të dyshuara në rrëmbimin masiv dhe dërgimin në Rusi të fëmijëve ukrainas.
Kjo shënoi herën e parë që gjykata lëshon një aktakuzë që synon zyrtarët e një prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Por gjykatës i mungon juridiksioni për të akuzuar Putin dhe rusët e tjerë të lartë për ndërmarrjen e asaj që njihej në Nuremberg si “krime kundër paqes”.
Prandaj vrulli që është ndërtuar gjatë vitit të kaluar për të krijuar një mekanizëm të ri gjyqësor që mund të transformojë një imperativ moral në procedura ligjore formale.
Të hënën, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit për herë të parë dha miratimin e Uashingtonit për një gjykatë speciale të bazuar në sistemin gjyqësor të Ukrainës, e cila do të përfshijë gjithashtu veçori ndërkombëtare, të cilat mund të përfshijnë gjyqtarë ose prokurorë nga vende të tjera, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë.
Ai model, tha Beth Van Schaack, ambasadori i përgjithshëm i SHBA-së për drejtësinë penale globale, në një fjalim në Universitetin Katolik të Amerikës, “do të lehtësojë mbështetjen më të gjerë ndërkombëtare ndër-rajonale dhe do të demonstrojë lidershipin e Ukrainës në sigurimin e përgjegjësisë për krimin e agresionit.”
Ky model hibrid, të cilin ajo e quajti “një gjykatë kombëtare e ndërkombëtarizuar”, shkaktoi kritika nga disa avokatë të të drejtave të njeriut.
Disa prej tyre favorizojnë krijimin e një gjykate të re ndërkombëtare në vend të një gjykate të rrënjosur në sistemin ligjor të Ukrainës, sipas së cilës krerët e shteteve mund të kërkojnë imunitet nga ndjekja penale. Ka shqetësime të mëtejshme se administrata e Biden, veçanërisht Pentagoni, heziton të ndihmojë në krijimin e një gjykate të re ndërkombëtare që mund të synojë zyrtarët amerikanë për shkelje të supozuara në të kaluarën ose të ardhmen në luftë.
Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të GJNP-së, një vendim i marrë më shumë se 20 vjet më parë nga shqetësimi se mund të shënjestrohej në ndjekje penale të motivuara politikisht.
Nuk ka asnjë dyshim që çështja e imunitetit sovran për Putin dhe çështje të tjera ligjore, duke përfshirë nëse ai mund të gjykohet në mungesë nga ndonjë gjykatë, paraqesin komplikime të mundshme në të ardhmen. Megjithatë, fakti është se në një ndjekje penale për krimin e agresionit, e barabartë me zhvillimin e një lufte të paligjshme, një kërkesë për imunitet nga Putin mund të ketë sukses ose të dështojë në çdo gjykatë, në varësi të vendimit të gjyqtarëve të saj.
Dhe nëse Putin do të gjykohej ndonjëherë, një skenar pa dyshim i pamundur, ndoshta do të ndodhte vetëm nëse dhe kur ai të largohej nga detyra, në këtë rast, si qytetar privat, ai nuk do të kishte më pretendim për imunitet.
Ashtu si Putin, i forti serb Slobodan Millosheviç dukej i paprekshëm deri në vitin 2000. Megjithatë ai u bë kreu i parë i shtetit në detyrë që u akuzua për krime lufte dhe vdiq në vitin 2006 në qelinë e burgut në Hagë, ku ai po gjykohej në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Putin dhe rrethi i tij, janë të gjithë shumë rehat, të sigurt për mosndëshkimin e tyre. Në një mënyrë apo tjetër, ata duhet të përgjigjen për gjakderdhjen e pajustifikuar që i kanë shkaktuar një kombi sovran.
Burimi: The Washington Post
Përktheu dhe përshtati: Konica.al