MENU
klinika

Sa do kushtojë blerja e 1 muaji

Rritet pagesa për sigurimet vullnetare

11.04.2023 - 19:31

Rritet pagesa e blerjes së periudhave të sigurimit për efekt të plotësimit të kushteve të pensionit. Me hyrjen në fuqi të pagës së re minimale prej 40,000 lekësh, ndryshime pëson edhe pagesa e blerjes së vjetërsisë kontributive nëpërmjet skemës vullnetare.

Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht ka mbërritur në 8,640 lekë, duke reflektuar një rritje prej 1296 lekësh më shumë krahasuar me kuotën e derdhur nga muaji mars dhe më herët. Kështu, duke nisur nga muaji prill, blerja e një muaji sigurimi nëpërmjet skemës vullnetare do të kushtojë 8640 lekë, e cila i korrespondon pagës minimale mujore prej 40,000 lekë x 21.6 për qind.

Përfshirja në skemën e sigurimit vullnetar, është një mundësi më shumë për të përfituar pension, që jepet për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, apo edhe jashtë saj.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, në këtë skemë mund të përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që plotësojnë këto kushte: “Kanë mbushur moshën 18 vjeç, mund të jenë studentë me kohë të plotë, dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar, janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre, si dhe nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi”. Ndërsa në rastet kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga një janari i vitit 1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Tre janë fushat që mund të mbulohen nëpërmjet skemës së sigurimeve vullnetare. Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se çdo qytetar mund të sigurohet vullnetarisht për vitin korent, mund të bëjë sigurim vullnetar për periudha të shkuara, si dhe mund të bëjë sigurim vullnetar për më shumë të ardhura nga pensioni, ndryshe nga sa mund të përfitohet nëpërmjet skemës së detyrueshme.

Çdo person që ka paguar kontribute për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas rastit do të mund të jetë përfitues i: pensionit të pleqërisë, pensionit të reduktuar të pleqërisë, pensionit familjar, si dhe pensionit të plotë dhe të pjesshëm të invaliditetit. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar.

Për të mbuluar periudhat e munguara të vjetërsisë së punës nëpërmjet skemës vullnetare çdo personi i interesuar, duhet të paraqitet në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Aplikuesi duhet të ketë me vete: Fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, si dhe fotokopje të kartës së identitetit ose pasaportës biometrike. Periudhat e siguruara pasqyrohen në regjistrin elektronik të kontribuesve të sigurimit vullnetar, dhe qytetari ka mundësi t’i shohë dhe të pajiset me vërtetim për periudhat e siguruara nëpërmjet portalit zyrtar https://e-albania.al/.

Sigurimi vullnetar për vitin korent
Ekspertët e sigurimeve shoqërore sqarojnë se personat që sigurohen për vitin korent kanë të drejtë të të sigurohen deri në kufirin e pagës maksimale. Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar nga VKM në periudhën kur bëhet pagesa.

Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht është 8,640 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 40,000 lekë x 21.6%. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa.

Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje prej 6 për qind mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar). Zbritja do të jetë 3 për qind mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). Ndërkohë që zbritja 1,5 për qind bëhet mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar).

Sigurimi vullnetar për periudhat e kaluara
Nëpërmjet skemës vullnetare mund të blihen edhe periudhat e kaluara. Masa e kontributit për sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar).

Pagesa për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale, e cila është 8,640 lekë në muaj. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje.

“Një person që është në prag të mbushjes së moshës për pension pleqërie, ose e ka mbushur moshën për t’u futur në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vite periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vite periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare”, sqarojnë autoritet e sigurimeve shoqërore.

Sigurim vullnetar për periudha të kaluara mund të paguajnë:
Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar;
Shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, me kusht që personi i siguruar të paguajë kontribut për këtë periudhë, përpara datës së fillimit të së drejtës për të ardhura;
Shtetasit shqiptarë që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm brenda dhe jashtë vendit, të cilët dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar;
Personat që kanë lënë shtetësinë shqiptare, për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.

Sigurimi vullnetar për pensione më të larta

Me anë të skemës vullnetare mund të bëhet sigurim edhe për pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar, sipas kontributit të paguar.

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë:
Të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent, në kufijtë e pagave minimale 40,000 lekë deri në 4-fishin e saj (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri);
Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 34,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në 4-fishin e saj;
Punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin, deri në 4-fishin e saj.