I konsideruar si një prej personave të rrezikshëm të botës së krimit në Shqipëri, Emiljano Nina është prangosur ditën e djeshme gjatë një kontrolli në Tiranë.
Nina, i cili njihet edhe si Emiljano Tasho është ndaluar teksa po udhëtonte me një makinë tip “Audi” ngjyrë të zezë në rrugën e “Barrikadave” në Tiranë. Policia ka kontrolluar drejtuesin e mjetit, Erison Lami por ky i fundit ka rezultuar i pastër.
Ndërsa Nina, i cili është kushëriri i Ervis Martinajt, ka rezultuar i shpallur në kërkim nga Komisariati Nr.2 në Tiranë. Ai është shoqëruar në polici, megjithatë arsyet e shpalljes në kërkim nuk dihen ende.
27-vjeçari Nina është person me precedentë kriminalë, i dyshuar si i përfshirë në vrasje.
Më konkretisht, ai akuzohet si një nga autorët e vrasjes së Enton Nikës, ngjarje e ndodhur në Linzë, më 11 nëntor të vitit 2015.
Në vitin 2018 ai u arrestua nga policia e Vlorës, pasi siç u raportua në atë kohë, qëlloi me armë duke terrorizuar turistët në lokalin e njohur “Havana” në Dhërmi.
Ai gjithashtu dyshohet të ketë marrë pjesë në disa grabitje të armatosura në Tiranë.