– mbresë dhe rrëfim –
Nga qielli me luftë i Ukrainës, – e ndjeva kështu dhëmbshëm, – më erdhi online revista letrare “Kyiv”, numri më i ri i saj… Ma dërgonte poeti ukrainas, Dmytro Chystiak, shoqëruar me këtë copëz letër në anglisht:
“I dashur Visar, Ju lutemi, gjeni këtu përkthimet e mia të poezisë suaj prekëse në gjuhën ukrainase në Revistën “Kyiv”, në fq. 139-141, bashkë me mirënjohjen time më të ngrohtë për artin tuaj dhe mbështetjen e Ukrainës. Me urime miqësore, më të mira të miat, Dmytro.”
S’kisha patur ndonjë lajm prej tij së fundmi. Pra, ai është… mirë. Dhe paska përkthyer poezi të miat në gjuhën ukrainase! Më kapi një si trazim, gjithsesi i bukur. Vërtet, del revistë letrare tani atje në kohë lufte? Ndonjë buletin ushtarak do ta besoja, me statistika nga fushë-betejat me avionë e raketa… e gjak yjesh. Po shfletoja revistën në pdf, ja, poezi plot, prozë, ese, kritikë…! Mrekulli! Atje ku plasin bomba e vriten jetë, ndanë gërmadhave me rrugët që i shtypin zinxhirët e tankeve… shtypet dhe kjo revistë letrare… Duhet, për t’i bërë ballë tmerrit… Faqja 139… fletët e mia… arrij të lexoj shkronjat cirilike. Akademia Evropiane e Shkencave, e Arteve dhe Letrave prezanton… fotografia ime… dhe pak biografi… Shih, “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, libri për të cilin u dënova e nuk u botua kurrë… pas burgut, pas rënies së diltaturës punoi këtu e atje… në Kuvend dhe.. e po pastaj?… aktiv në mbështetjen e Ukrainës në masmedian në gjuhën shqipe në vende të ndryshme të botës… M’u shpeshtua frymëmarrja… një e dhënë e re në CV time… s’e dija që e dinin, e çmoj që e çmojnë… po është aq pak kjo imja, asgjë… e njoh braktisjen dhe mosmbështetjen, njëlloj si e njeriut duhet të jetë dhe ajo e vendeve, duhet të marrësh anën e atij që pëson padrejtësi e vuajtje… e di ç’është dhe ushtari me armë para teje, i gatshëm të të qëllojë, megjithëse tek ne lufta ishte e ftohtë, delir dhe ankth dhe asgjë, me të keqen dhe marrëzitë… pa të huaj, kur dhe vetja të bëhej e huaj… E njoh qendresën… Ukraina po lufton me një monstër euroaziatike…. për Europën, shkruante Dmytro që në fillim gjithandej… ndoshta prandaj personazhet në fund të romanit tim të ri, “Këpuca e aktorit”, dy të dashuruar, nisen për në Ukrainë, në luftë… është ndihma ime, i të qenit pranë.
Në Kosovë të gjithë ishin me Ukrainën, sipas disa të anketave, kurse në Shqipëri kishte dhe kripto-pro-putin-ër, nostalgjikë enveristo-stalinistë të Bashkimit Sovjetik, besoj revanshistë të Realizmit Socialist, që dhe po forcohen… u ndjehen dhëmbët dhe helmi… A thua nga që Kina po bëhet superfuqi? Që të ndërprisja këtë valë të menduari, u hodha të shoh se ç’poezi kishin zgjedhur nga unë ukrainasit? Rrekem të kuptoj titujt: Koha, – kur ti mbetesh veç i dashuruari i saj… buzëqesha. Në detin e Homerit – tjetra, këpucët bëhen anije të eksodit… shih, dhe poezi burgu: Çastet… që ikin dhe mbetesh luftëtar pa luftra… zogu te hekurat e frengjisë… Anti nina-nana e dënimit… dhe… dhe… Dielli i dytë, prapë, që e kam shkruar kur isha student, e kam dhe në akt-akuzë, do “diell të dytë” ti, – më bërtiste hetuesi netëve, kur më arrestuan, – diell a nuk kemi Partinë? Pra ti, armik, do tjetër parti?… Po dhe në Ukrainë po kërkojnë një diell tjetër. Kush i përzgjodhi këto poezi? Dmytro Chystiak sigurisht, ai më njeh. Nga anglishtja i ka përkthyer, nga libri “The condemned apple”, botuar në SHBA… edhe si sfidë… jo vetëm ndaj atyre që më denoncuan mua, që lajmëruan Komitetin Qendror, Enverin vetë, por dhe ndaj uzurpstorëve të Kremlinit. E keqja ndodh të ketë vetëm një qendër për popujt… Po i jepja hov vetes të fantazonte. Nga burgu poezitë e mia shkuan si pëllumbat korrierë në një gjuhë tjetër të një populli që po derdh lotë dhe gjak bashkë, që po përleshet dhëmb për dhëmb me pushtuesin… E ç’t’i shkruaj Dmytro-s, që jam gëzuar, por ndërkohë dhe prekur? Që ju lumtë, nuk po e lini poezinë as tani, në luftë? Ne na dënuan për poezinë e ju dënoni me poezi? Dhe ju duheshin dhe të miat? Më vjen mirë, patjeter. Sikur ju kam dhënë dhe unë ca municion shpirtëror. Befasia si ato raketat që hedhin fronteve të luftës, po edhe në rrethimet e burgjeve për të ndriçuar për pak çaste mjedisn përreth, se ç’dogji brenda meje… A t’i tregoj Dmytro-s për fqinjët ukrainas në pallatin tim larg? I kemi te dera përballë. S’kanë shumë që kanë ardhur. I ikën luftës për të shpëtuar fëmijët, janë të vegjël, engjëj… Ua dëgjuam zërat në korridor. Po ktheheshim në mbrëmje në shtëpi, s’ishte aq vonë. – S’paskan fjetur, – tha Eda ime dhe nxitoi. Me t’u futur në apartanentin tonë, hapi frigoriferin dhe nxori ca ëmbëlsira, tortën, i vendosi në kuti të bukura. – Janë ende ditë Pashkësh, – shtoi, – t’ja u japin fëmijëve – dhe trokiti te dera e tyre. E hapi i zoti i shtëpisë, një burrë i ri dhe po na shikonte pa kuptuar. Nxori celularin dhe e vuri në “Google translate” me zë. I dëgjoi fjalët e Edës të përkthyera në gjuhën e tij, “Happy Easter!” – u dëgjua të na thotë. Tre vogëlushë të bukur u afruan. Vajza e madhe me flokët e artë si gruri i Ukrainës, na shikonte me adhurim. Ata kuptonin anglisht, shkonin në shkollë. Salloni i tyre dukej pothuajse bosh. S’m’u durua dhe nxora celularin dhe unë, i tregova ekranin me imazhin e kopertinës së revistës me emrin “Kyiv”, të kryeqytetit të vendit të tyre, e shtyva me gisht te fleta tjetër, “përmbajtja e lëndës”, ai u hutua edhe më, pastaj i vura para syve fotografinë time, po lexonte poshtë saj, nisi të buzëqeshte, patjetër prej fjalëve në gjuhën amë, pa nga unë, e kuptoi që ngjaja me foton, buzëqeshi prapë: це ти, я зрозумів… – kështu më doli se kishte thënë, kur e kontrollova me “google translate” dhe qesha unë tani. Mori leje të fotografonte me celularin e tij faqet e revistës në ekranin e celularit tim. Po qeshnin dhe fëmijët. – Поет, поет! – Так… Si po na afronte poezia, ja ashtu si fëmijët që i bashkojnë ëmbëlsirat… A t’ia shkruaja këto Dmytro-s? Apo t’ia thosha kur të takoheshim ndonjëherë, se lufta do të mbaronte patjetër. E kishin ftuar atë në shtëpitë e tyre miqtë poetë në Itali, në Francë, ai ishte dhe profesor i frengjishtes në universitetin “Taras Shevçenko” në Kiev, e kishin ftuar në Zvicër, në Austri, të rrinte tek ata deri sa të mbaronte lufta, edhe në Kosovë, miku I tij poeti Jeton Kelmendi e deri dhe larg në SHBA, edhe unë i kisha thënë, por ai nuk donte të largohej, në Ukrainë, përgjigjej, edhe sikur të jetë dita e fundit. Kam shkruar për Dmytro Chystiak, që në shtëpinë e tij në Kiev, dritaret I kishte të mbyllura me raftet e librave, që të mos dukej drita jashtë dhe e shikonin agresorët dhe hidhnin predhat për andej.
Dhe shtoja se në atë barrikadë librash, mes tyre, duhej të kishte dhe ndonjë nga të mite… se ndryshe nga do t’i merrte poezitë që përktheu. Ja, që i qenkëshin dashur dhe në luftë, në mbrojtje të qytetërimit dhe të dritës, siç i pëlqen të thotë shpesh nëpër intervista poeti Dmytro Chystiak. – Mos është ca si i tepërt ky ngazëllim imi kështu? – i mërmërita Edës time, por më shumë vetes, kur ishim brenda në shtëpinë tonë. Ajo po më vështronte me mallëngjim. Gëzimet tona kështu i kemi tani, mbi mallëngjime. E ç’na ka mbetur më tepër, njëri-tjetri dhe poezia.
Prandaj mbase dhe i ndjej më fort dhe ndryshe mbërritjen e poezive te mia në Ukrainë. Thashë, kam provuar dhe robin, telat me gjëmba në mish, tytat e armëve të ngritura kundër meje në burg, e di mundin e pabesueshëm të qëndresës në zi, përpëlitjet e lirisë dhe tragjedinë, që ma trand tokën nën këmbë dhe qiellin mbi krye, kryqin e Birit, që e ngrin kohën llahtarshëm dhe e bën të mos vijë e ardhme, vetëm e shkuar pafund, ripërjetojmë gëzimet që patëm, i bëjmë të tanishme dhe bëj çudi se si shpesh ka përreth nesh që na e harrojnë këtë, jo vetëm që s’dinë të vënë dorën dhembshurisht mbi supet e tjetrit, por s’kanë as mirësi në të folur, përkundrazi, dhe më çudi bëj se si arrij t’u përgjigjem si i barabartë, kur vetë nuk ndjehem i këtushëm. E di, është nderim për tjetrin, si një vetvete tjetër, etj, etj.
Po duart e mia janë plot me Ukrainë, me atë metaforë dhe dëshpërim dhe fletët e poezive, atom ë kanë mbetur, janë si flatra shpirti që… më afrojnë apo më largojnë?