MENU
klinika

Rreziku nga trazirat sociale

Partitë greke në garë për votat e “brezit të humbur”

18.05.2023 - 10:49

Politikanët janë në garë për të fituar vota për zgjedhjet greke, që mbahen të dielën më 21 Maj, teksa ata u janë drejtuar platformave YouTube dhe TikTok për të fituar votat e brezit të ri. Të rinjtë në Greqi për vite me radhë, të përcjella me krizë, janë ndierë se situata në shtet u ka kushtuar me rininë e tyre.

Eirini Baiaka është një rast konkret. Një dekadë pasi nisi studimet universitare me shpresën se do të bëhej mësuese, ajo u detyrua të punonte punë të ndryshme me qëllim që të paguante faturat, teksa Greqia u përball me krizë të thellë ekonomike, me pandeminë dhe krizën e kostos së jetesës që u nxit nga pandemia. Të gjitha këto ia kanë vështirësuar asaj që të realizojë ëndrrën që të bëhet mësuese.

“Çfarë imagjinoja kur isha 18 vjeçe është shumë larg realitetit të cilin e jetoj në moshën 28-vjeçare”, tha studentja e fizikës. “Nuk e di se si ne nuk mund të quhemi brez i humbur. Ndiej sikur kemi humbur lojën ende pa filluar”.

Fitimi i besimit të personave nën 30 vjeç, sikurse është Baliaka, është shndërruar në sfidë për partitë në mbarë spektrin politik para zgjedhjeve të 21 majit. Të gjitha premtimet e partive duket se nuk po bindin këtë brez se ai do të jetë vital për perspektivën ekonomike të Gjermanisë, pasi popullsia e shtetit është duke u plakur.

Sistemi i ri zgjedhor nënkupton që fituesi nuk mund të zgjidhet menjëherë të dielën, prandaj çdo votë ka rëndësi.

Sondazhet kanë sugjeruar se partia konservatore në pushtet, Demokracia e Re, prin përball partisë së majtë, Syriza. Në mesin e votuesve të rinj, partitë opozitare të majta janë më popullore, por shumë nga votuesit e rinj janë ende të pavendosur.

“Është një brez i grekëve që u rrit në kushte të vështira dhe të paprecedentë, që nuk i lejon ata t’i marrin vendimet shumë lehtë”, tha George Arapoglou, që udhëheq kompaninë e sondazheve, Pulse.

“Atyre nuk u duhet askush që t’i informojë, atyre u duhet dikush që t’i bindë”.

Gjendje stagnimi
Nëse fiton, Syriza ka thënë se do të heqë kriteret për pranim në universitet, ndërkaq Demokracia e Re ka premtuar se do të japë 150 euro për të gjithë ata që mbushin 18 vjet.

Lamprini Rori, asistent profesoreshë e analizave politike në Universitetin e Athinës, tha se, sikurse Baliaka, shumica e studentëve të saj punojnë, dhe kjo gjë do të vulosë identitetin e tyre politik në të ardhmen.

Inflacioni dhe rritja ekonomike janë çështjet kryesore që brengosin të rinjtë, dhe përderisa 82 për qind e të rinjve grekë kanë thënë se do të votojnë, vetëm 35 për qind besojnë se zgjedhjet mund të përmirësojë situatën, sipas një hulumtimi të bërë nga organizata Eteron.

“Nëse ne vazhdojmë me Qeverinë e njëjtë, mendoj se do të ketë më shumë zhgënjim. Nëse dikush tjetër vjen [në pushtet], a mendoj se do të sjellë ndonjë ndryshim të madh? Jo”, tha Baliaka.

Gjendja e Baliakas është reflektues i një problemi më të madh.

Përderisa ekonomia parashikohet që gjatë këtij viti të rritet për 2.3 për qind dhe të ketë rënie të papunësisë në 10 për qind, gati një e katërta e banorëve nën 24 vjeç është e papunë dhe 14 për qind e persona nën 30 vjeç janë “të privuar rëndë në aspektin material dhe shoqëror”, sipas Eurostat. Këto dy shifra janë më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian.

Ekonomistët kanë thënë se efektet e dëmshme të mungesës së të ardhurave, aftësive dhe produktivitetit gjatë viteve të mëparshme do të zgjasin gjatë gjithë jetesë dhe në fund mund të sjellin probleme për financat e shtetit, me një popullsi që po plaket dhe po tkurret. Gjendje në Greqi është përkeqësuar nga ikja e gati 500.000 të rinjsh të aftë për punë, por të cilët u larguan gjatë krizës.

“Pensionet janë problem fiskal”, tha Vlassis Missios, një ekonomist në Qendrën greke të Planifikimit dhe Kërkimeve Ekonomike. “Për t’i mbuluar pensionet, kërkohet një bazë produktive që mundëson rritjen e pagave”.

Për shumë të rinj grekë, gjetja e një pune të përshtatshme është e vështirë. “Greqia të mban në një gjendje stagnimi për shkak të disa mundësive të këqija që t’i jep”, tha Baliaka.

Rreziku nga trazirat sociale
Problemet e mëdha të Greqisë me demografinë nënkuptojnë se votuesit e rinj janë vetëm një pjesë e vogël e elektoratit, me rreth 18 për qind, por politikanët nuk mund të jenë indiferentë ndaj kësaj pjese të shoqërisë.

“Është çështje e kostos politike, por po ashtu është simbolike. Ata [politikanët] duan të tregojnë se të rinjtë kanë rëndësi për ta”, tha Rori.

“Edhe nëse ata nuk mund të fitojnë votën e të rinjve, nuk duan që t’i kenë ata si kundërshtarë. Gjithmonë ka rrezik të trazirave shoqërore”.

Më 2008, pas disa javësh protesta për shkak të vrasjes së një të riu nga policia, u rrëzua Qeveria.

Në mars, pas aksidentit më vdekjeprurës me trena në Greqi, kur u vranë 57 persona – shumica e të cilëve studentë – mijëra të rinj dolën në rrugë, në protestat më të mëdha antiqeveritare të organizuara në Greqi në vitet e fundit.

“Ne e dimë se si të rinj duhet të luftojmë për të drejtat tona, për kërkesat tona, por ne madje duhet të luftojmë edhe për jetën tonë”, tha Evangelia Grigoriou, studente 22 vjeçe, shoqja e të cilës vdiq gjatë përplasjes së dy trenave.

“Kjo vetëm mund të shkaktojë zemërim dhe indinjatë. Ne e pyesim veten se në çfarë shoqërie jemi duke jetuar. Nuk më ofron asgjë. Thjesht vetëm merr e merr prej meje”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mesazhi i kryeministrit të Greqisë nga Himara

“Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE!”


Eksperti i sigurisë: Ja si do të përfundojë beteja e Rusisë

SHBA dhe Greqia mbyllin ambasadat e tyre në Kiev

“Kemi lidhur kontratë për t’i mësuar fëmijëve gjuhen shqipe”

Rama prezanton 8 mësuesit e parë në Greqi