Ekipet shqiptare shpesh janë të detyruar të migrojnë kur stadiumet e tyre janë në rikonstruksion apo të dënuar. Në këtë sezon, Kukësi ka ndërruar disa herë stadiumin si ekipi pritës, duke luajtur në Shkodër, Elbasan, Tiranë e Kamzë.
Por nuk është Kukësi ai që mban rekordin. Rekordin e mban Korabi, që ndërroi 7 stadiume si ekip pritës dhe pa mundur të luajë në Superiore në Peshkopi. Një statistikë që tifozët e Korabit edhe sot e kësaj dite e kujtojnë për keq.
Korabi u rikthye me plot zhurmë në futbollin elitar pas 55 vitesh në sezonin 2016-2017. Ekipi dibran ra menjëherë nga kategoria dhe natyrisht një nga faktorët ishte mosluajtja në stadiumin e vet.
Në fillim të sezonit stadiumi i Peshkopisë nuk i plotësonte kushtet e licensimit për në Superiore, aq më tepër që edhe fusha ishte e dënuar. U lidh një kontratë me klubin e Tiranës dhe ndeshjet si pritës do të luheshin në “Selman Stërmasi”.
Më pas, pa asnjë strategji, trajneri Gerd Haxhiu kërkoi që ndeshjet të luheshin sa më larg dhe për këtë u zgjodh stadiumi i Kukësit, duke firmosur kontratë tjetër. Kukësi e dëboi më pas.
Më herët, për shkak të përplasjes në të njëjtën fushë, Korabi kishte luajtur një takim (me Luftëtarin) në “Elbasan Arena” dhe një takim tjetër për Kupën e Shqipërisë në “Skënder Halili”. Kukësi ishte “shtëpia” e katërt.
Pas prishjes me drejtuesit verilindorë, u zgjodh stadium i Pukës, por FSHF nuk pranoi, kështu që dibranët luajtën si pritës me Flamurtarin në Peqin. Pas përfundimit të fazës së dytë, ndeshjet u zhvilluan sërish në “Elbasan Arena”, ndërsa takimi me Vllazninë u luajt në Durrës.
Fusha e “Niko Dovanës” ishte e degraduar, kështu që klubi i Teutës nuk e lejoi më Korabin. Dhe ndeshja Korabi-Tirana u luajt në “Loro Boriçi”, që rezultoi të jetë stadiumi i shtatë si pritës për klubin dibran. Kjo përbën një rekord më vete në Superiore.
Një amatorizëm nga drejtuesit e klubit, të cilët pas faljes nga FSHF-ja të fushës së Peshkopisë dhe tifozërisë, nuk ditën të bëjnë gati stadiumin e tyre, edhe pse u ndërhy në impiant me punime, por pa zbatuar kriteret e licensimit. Korabi lujti kudo, vetëm në shtëpinë e vet jo…