MENU
klinika

'Tërbohet' Athina zyrtare pas lënies në burg të Fredi Belerit

Shqipëria kërcënohet me mbyllje të portës së BE

02.06.2023 - 12:22

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të lërë pas hekurave fituesin e zgjedhjeve lokale në bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Në seancën e djeshme gjyqësore, ku i pandehuri, kandidat nga minoriteti grek dhe pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë” kërkonte lehtësim të masës së sigurisë, u vendos gjithashtu që bashkëpunëtori i tij dhe anëtari i shtabit elektoral të fushatës, Pandeli Kokaveshi t’i ndryshohet masa nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. Trupi gjykues u bind nga kërkesa e avokatit të Kokaveshit, pasi klienti i tij vuan nga probleme në zemër, për shkak se ka kryer transplant disa kohë më parë. Edhe pse fituesi i zgjedhjeve në Himarë me 19 vota diferencë nga kandidati socialist Jorgo Goro ndodhet prej ditësh në spital për shkak të problemeve shëndetësore me diabetin dhe zemrën, Apeli i GJKKO nuk e pa të arsyeshme t’i ndryshonte masën e sigurisë. Beleri akuzohet për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe mund të dënohet nga 1 deri në 5 vite burg, në rast se shpallet fajtor. Vendimi i djeshëm ka sjellë sërish reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë. Pala greke e konsideron të padrejtë mbajtjen në paraburgim të Belerit, pasi është certifikuar si fitues në Himarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 25 maj. Ajo çfarë mbetet mister, është se çfarë do të ndodhë me mandatin e Belerit në Himarë. Fredi Beleri u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u denoncua se ofronte para, nënshtetësi dhe lejeqëndrimi në Greqi në rast se i ofronin votën. Ai u kap në 1 lokal me 40 mijë lekë, që policia e Vlorës pretendon se do t’ua jepte 8 votuesve.

Greqia: Lënia në burg e Belerit, kundër shtetit ligjor dhe zgjedhjeve demokratike
Athina zyrtare e dënoi lënien në paraburgimin e ish-“313” të Belerit, për shkak se drejtësia shqiptare nuk ka arrestuar asnjë person tjetër, përveç tij, për 31 raste të denoncuara krimesh elektorale në 14 maj, duke e quajtur rast të paprecent. Së dyti, MPJ e Greqisë ndihet e shqetësuar për faktin se ç’do të ndodhë me drejtimin e bashkisë së Himarës pasi Beleri është shpallur zyrtarisht fitues nga KQZ. “Refuzimi i sotëm (i djeshëm) i ankesës së kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris, kundër vazhdimit të paraburgimit të tij, nuk rezulton të jetë në përputhje me dispozitat e shtetit ligjor, ndërkohë që nuk përbën trajtim të drejtë të një përfaqësues i zgjedhur i pushtetit vendor, pasi, siç del nga një njoftim i Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë, është i vetmi paraburgim në gjithsej 31 ankesa për krime elektorale. Ai gjithashtu ngre pikëpyetje për ekzistencën e përshtatshmërisë politike për mbajtjen e paraburgimit, pasi ngre pengesa thelbësore që F. Beleris të marrë detyrën e tij si kryetar komune”, shkruhet fillimisht në deklaratën e MPJ të Greqisë.

Greqia “kërcënon” sërish për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Çështja “Beleri” u bë sërish temë diskutimi mes dy homologëve të Shqipërisë dhe Greqisë, Olta Xhaçka dhe Vasilis Kaskareli (zëvendësoi Nikos Dendiasin). Kjo gjë u konfirmua nga Ministria e Punëve të Jashtme Greke në njoftimin e saj. Sërish, shteti grek do të vazhdojë të trajtojë me seriozitet këtë çështje edhe në institucionet ndërkombëtare të Bashkimit Europian. Në mënyrë indirekte u përmend se Athina sërish mund të pengojë procesin e anëtarësimit të fqinjit të saj në BE. “Paraburgimi në vazhdim i F. Beleris ka qenë objekti i bisedës së sotme (djeshme) mes ministrit të Jashtëm, Vasilis Kaskareli dhe homologes së tij shqiptare Olta Xhaçka në Oslo, në margjinat (jashtë mbledhjes) e takimit joformal ministror të ministrave të jashtëm të NATO-s. Ministria e Punëve të Jashtme e mban çështjen shumë lart në prioritetet e saj dhe, përtej dimensionit dypalësh të çështjes, do të vazhdojë të informojë dhe ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar dhe në veçanti partnerët europianë, pasi Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimi në BE”, mbyllet qëndrimi zyrtar i Greqisë për lënien në burg të Fredi Belerit.

Neni 328 i Kodit Penal, “Korrupsionin aktiv në zgjedhje”

Ofrimi ose dhënia e të hollave, të mirave materiale, premtimi për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë në kundërshtim me ligjin, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.
Interpretimet

Neni 30 i Kushtetutës

Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Ligji i Dekriminalizimit, neni 2
Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Kodi i Procedurës Penale, neni 4, pika 2

Gjykata jep vendim fajësie kur i pandehuri rezulton fajtor për faktin penal që i atribuohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Ligji për vetëqeverisjen vendore, neni 61
1. Mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari: a) nuk pranon të bëjë betimin; b) jep dorëheqjen; dh) humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë. 6. Në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit.

Neni 62, “Shkarkimi i kryetarit të bashkisë”
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve; b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata; c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.