MENU
klinika

Thirrja për mediat

Zyrtari i DASH: Rusia po përdor dezinformimin për të përçarë SHBA-në me aleatët e saj në Ballkan

02.06.2023 - 17:13

Koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit të Departamentit të Shtetit në SHBA, James Rubin tha se Rusia po përdor mediat për të përçarë aleatët e SHBA-së në Ballkan nëpërmjet dezinformimit.

Rubin u bëri thirrje mediave në rajon që të fokusohen më shumë në zbulimin e dezinformimit rus dhe për të zbardhur lajmet e vërteta.

“Kremlini po armatizon informacionin për të përçarë aleatët e SHBA-së në Ballkan. Ata po përpiqen të përdorin çdo teknikë që munden për të ndarë Perëndimin në mbështetjen e tij ndaj Ukrainës” tha diplomati Rubin për Radio Free Europe.

Zyrtari amerikan tha se çdo vend ka të drejtën e shprehjes së lirë dhe mediat kanë të drejtë të raportojnë nga qeveritë e huaja. Rubin tha se dezinformimi nga një qeveri e huaj nuk duhet të përsëritet, derisa të raportohen se nga vjen burimi.

“Ne duhet të përdorim çdo mjet që mundemi në një shoqëri demokratike për të bërë dallimin midis zhurmës në fushën e informacionit dhe atyre operacioneve që drejtohen nga Kremlini që janë krijuar për të na përçarë, që synojnë të prishin procesin demokratik në mënyrë që mbështetja e NATO-s të avullojë”, tha James Rubin.

Diplomati amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të informuara se edhe Kina ka shpenzuar miliarda dollarë për të zhvilluar “sistemet e manipulimit të dezinformimit” në mbarë botën, por taktikat e saj janë të ndryshme.

“Pra, kjo do të thotë që gazetari afrikan që shkruan një histori për botën po e shkruan atë nga një këndvështrim kinez, në të cilin gjëra të tmerrshme ndodhin në Amerikë, gjëra të mrekullueshme ndodhin në Kinë”, u shpreh Rubin.

Ai thotë gjithashtu se SHBA po përpiqet të “sigurojë që kjo të jetë transparente”, në mënyrë që lexuesit të dinë se gazeta po i merr lajmet e veta nga Kina.