MENU
klinika

Hapat/ Lejohet në këto 2 raste

Si të kërkoni rishqyrtimin e masës së pensionit

09.06.2023 - 16:48

Pas marrjes së vendimit të caktimit të pensionit, çdo përfitues ka të drejtë të aplikojë për rishqyrtimin masës së pensionit që i është caktuar.

Kjo procedurë mund të bëhet në dy raste, e para për të siguruar një masë më të lartë përfitimi pleqërie, si dhe në rastin e dytë, për të konfirmuar zgjatjen e afatit të përfitimit për pensionet invaliditetit, pensionet familjare, si dhe pensionet suplementare të parakohshme.

Ky shërbim ofrohet në rastet kur pensionisti paraqet periudhën e sigurimit, ose pretendon se pensioni nuk është llogaritur saktë.

Aplikimi për rishikimin e masës së caktuar të pensionit mund të bëhet vetëm online. E gjithë procedura zhvillohet në portalin qeveritar “e-albania”, ku duke ndjekur disa hapa të thjeshta, mund të bëni plotësimin e formularit përkatës. Në vijim gjeni të detajuara hapat se si duhet të veproni.

Fillimisht ju duhet të aplikoni në portalin zyrtar www.e-albania.al , ku duhet të identifikohuni si qytetar.

Më pas duhet që të zgjidhni shërbimin “Kërkesë për rishqyrtim përfitimi (pensioni) dhe të klikoni në butonin që shkruan “Përdor”.

Me kryerje e këtyre konfirmimeve do të mund të vijoni me plotësimin e formularit përkatës nëpërmjet të cilit do të mund të kërkoni rishikimin e masës së pensionit që ju është caktuar.

“Plotësoni formularin përkatës për këtë kërkesë. NID (Numri personal në Kartën tuaj të identitetit) plotësohet paraprakisht në momentin që ju hyni në portal me kredencialet tuaja. Me informacionin e NID (Numri personal në Kartën tuaj të identitetit) plotësohen automatikisht edhe të dhënat e tjera nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ju duhet të plotësoni formularin sipas fushave”, udhëzojnë ekspertët e sigurimeve shoqërore.

Gjatë plotësimit të formularit, ju duhet të ngarkoni edhe dokumentet e duhura shtesë. Një tjetër pikë e rëndësishme që nuk duhet të harroni është edhe dërgimi i këtyre dokumenteve edhe me rrugë postare. Kjo në mënyre që shqyrtimi i aplikimit tuaj të mos vonohet në kohë.

“Dokumentet origjinale që i keni bashkëlidhur gjatë aplikimit duhet të dërgohen me postë pranë drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore ku ju po bëni aplikimin. Duhet të mbani në konsideratë që zarfi i përcjelljes së këtyre dokumenteve të shoqërohet me numrin e aplikimit tuaj”.