Në zhvillimet e ditëve të fundit me protestat e studentëve ka nisur një sërë diskutimesh se si duhet të rregullohet arsimi i lartë në Shqipëri. Ajo që të bën përshtypje është se opinionet janë të ndryshme, por zgjidhjet të pakta.
Duke u nisur nga kërkesa e studentëve për ulje ose heqje fare të tarifave, tek kërkesa e një pedagogu të Universitetit të Shkodrës për heqjen e mesatares si kriter pranimi, apo tek zëra për organizimin e pedagogëve për rritje pagash, përshtypja e një vëzhguesi të paanshëm është se duket sikur ka grupe të ndryshme interesi që përpiqen të rrëmbejnë sa më shumë nga një fond i kufizuar që qeveria ka vendosur për arsimin.
Natyrisht në këtë kaos mendimesh dhe interesash ka një të vërtetë që duket se askush nuk ka qejf ta thotë: cilido qoftë buxheti i qeverisë për arsimin, gjithmonë do të jetë i pamjaftueshëm për të financuar 14 universitete publike me rreth 130 000 studentë.
Çfarë duhet bërë? Në se qeveria dyfishon sot buxhetin për arsimin dhe zvogëlon buxhetin e policisë, ushtrisë, mjekësisë, apo infrastrukturës vërtet ka njerëz aq naivë në Shqipëri që të mendojnë se problemet e arsimit do të zgjidhen?
Arsimi Shqiptar ka nevojë për një reformë totale dhe të menjëhershme, reformë që duhet të ndryshojë parimet bazë të organizimit tëarsimit të lartë. Qeveria duhet patjetër që të gjejë mënyra më efiçente për manaxhimin e universiteteve publike.
Gjë që jo vetëm është e mundur, por plotësisht e realizueshme në se ka vullnet dhe konsensus politik. Si mund të realizohet kjo?
Së pari masivizimi i universiteteve në mënyrë artificiale dhe i shtyrë nga motive politike ka shkatërruar plotësisht arsimin universitar Shqiptar.
Kjo duhet korrigjuar sa më parë. Shqipëria nuk ka nevojë për 14 universitete publike, por vetëm për tre. Le të ndjekim parimin që ndjek gjithë bota e zhvilluar: një universitet për çdo një milion banorë.
Numri më eficent i një universiteti bashkëkohor është 35 000 – 45 000 studentë.
Riorganizimi i arsimit universitar në tre universitete bazë jo vetëm që do të përballonte numrin aktual të studentëve, por do të zëvendësonte administratën e 14 universiteteve me atë të 3 universiteteve, pra do të priste në mënyrë drastike shpenzimet e panevojshme të administratës.
Së dyti, riorganizimi i programeve mësimore është një tjetër drejtim ku mund të kursehet në mënyrë të konsiderueshme. Aktualisht programet e studimit në Shqipëri nuk janë të integruara.
Ato janë të organizuara në mënyrë të tillë që çdo program është si një universitet më vete. Nga eksperienca jonë në Universitetin e Vlorës në vitet 2008-2011, në se integrimi bëhet i plotë, universiteti mund të kursejë në masën 40-50% të kostos. Kursimi mund të jetë edhe më i madh në një universitet më të madh. Integrimi i programeve të studimit do të kishte një tjetër të mirë, asnjëherë nuk do të ishte nevoja e “mbylljes” së degëve të studimit siç ndodhi në Gusht. Ata që shkruan Ligjin dhe drejtuesit e universiteteve nuk e kuptojnë dot përse asnjëherë nuk mbyllet ndonjë degë studimi në Amerikë. Kjo sepse në Amerikë gjithë programet e studimit janë të integruara.
Së treti, le të ingranohen studentët për punë të ndryshme brënda universiteteve. Kjo është praktikë që zbatohet kudo, madje nga ana pedagogjike dhe akademike studentët i bëjnë më mirë disa punë se sa stafi akademik apo stafi jo-akademik.
Në vitin 2010 krijuam qendrën es tudimit të matematikës në bibliotekën e Universitetit të Vlorës. Punësuam 12 studentët më të mirë të Universitetit dhe disa të tjerë u punësuan në bibliotekë. Studentët punonin 15-20 orë në javë dhe merrnin 15 000 – 20 000 lekë rrogë në muaj.
Në Shkurt të vitit 2011 Kontrolli i Lartë i Shtetit këtë e quajti “shkelje” dhe studentët u detyruan të kthenin rrogën e disa muajve. Ky lloj mentaliteti dhe egërsie karshi disa 19 vjeçarëve më shokoi në atë kohë. Diçka që nuk mund të mendohet kurrë në një vend të qytetëruar. Për më tepër kur këta studentë ishin paguar për njëbpunë që e kishin kryer.
Së katërti, pagesat duhet të bëhen në bazë të krediteve dhe jo në bazë vjetore. Nuk ka asnjë arsye që një student të pagojë tarifat e gjithë vitit për një lëndë të vetme. Eshtë abuzim dhe duhet të jetë e jashtëligjshme.
Së pesti, Kryeministri dhe Qeveria duhet të rrinë jashtë procedurave të universiteteve. Janë universitetet ato që duhet të vendosin quotat e pranimeve, tarifat, degët dhe çdo gjë tjetër. Boll me VKM-të pa asnjë vlerë.
Më kujtohet në vitin 2010, kryeministri i asaj kohe zoti Berisha nxorri VKM për krijimin e degës në “Akuaristikë” kur ne kishim kërkuar “Aktuaristikë”. Kryeministrat tanë bëhen qesharakë me detaje që nuk u përkasin atyre, por dekanëve dhe rektorëve.
Gjatë periudhës 2008-2011 në Universitetin e Vlorës ne zbatuam me sukses disa nga masat e mësipërme dhe universiteti ishte në gjendje mjaft të qëndrueshme nga ana financiare, por megjithatë ne përsëri nuk na lejohej të rrisnim rrogat e pedagogëve, ose të ulnim tarifat e studentëve.
Pikërisht ky është problemi kryesor i arsimit të lartë në Shqipëri: administratat e universiteteve nuk kanë asnjë motivim për të qenë efiçentë nga ana financiare. Qeveria duhet të gjejë mënyra që t’i detyrojë universitetet për këtë efiçensë financiare.
Ligji i Arsimit, megjithë pjesëmarrjen e ekspertëve nga Harvard dhe London School of Economics, siç na u tha atëherë, këto probleme nuk i zgjidhi dot. Zbatimi i masave të mësipërme do ta bënte arsimin tonë të lartë më efiçent nga ana administrative dhe financiare.
Do të duhej një punë shumë më e madhe dhe e dhimbshme për ta bërë atë efiçent nga ana akademike dhe shkencore.