Real Madrid ka përmbushur pritshmëritë, duke fituar mbrëmjen e të shtunës në “Santiago Bernabeu”, ndaj Rayo Vallecano, ndonëse me rezultatin e ngushtë 1-0. Avantazhi minimal, por i hershëm, falë golit të realizuar nga Benzema që në minutën e 12’ të takimit i ka dhuruar vendasve qetësinë e nevojshme për të administruar lojën.
Real Madrid ka vijuar të tentojë gjetjen e golit të dytë, por ka dështuar në të gjitha rastet, me dy rastet më flagrante, kur topi i goditur nga Kroos në pjesën e parë u përplas në shtyllë, ndërsa në pjesën e dytë, Ramos ka dërguar topin në rrjetë në të 64’ me një gol fantastik me kokë, por arbitri dhe VAR ka konfirmuar pozicionin e parregullt të kapitenit të Los Blancos, duke anuluar golin.
Dramatike për Real Madrid kanë qenë momentet e fundit të ndeshjes, me Courtois që ka shpëtuar portën në dy raste gati fatale. Gjithsesi, edhe pse vetëm me një fitore minimale, 1-0 ndaj vendit të parafundit, Real Madrid ka realizuar objektivin e tij, fitoren, 3 pikët dhe rikthimin e frymës pozitive.