MENU
klinika

Nga Jetmir Aliçka

Pse jam kundër ministres Ibrahimaj për aplikimin e TVSH në arsim

08.07.2023 - 12:45

Dy dite më parë, në një komunikim në media, ministrja e financave, znj. Ibrahimaj, jo pak e egzaltuar, bëri me dije, se së shpejti në arsim do të aplikohet TVSH. Argumentat, ashtu, nëpër rrjeshta, ishin forcimi i financave të qeverisë, ulja e inflacionit, urdhri apo sugjerimi i FMN etj.etj.

Gjatë këtyre 29 viteve të egzistencës së arsimit privat është hera e tretë apo e katërt e aplikimit dhe heqjes së TVSH ne arsim. Ndoshta këtë rradhë është momenti më i keq. Bëhet fjalë për momente kur gjithshka është në një krizë të rëndë financiare, pa përjashtuar familjen shqiptare.

Për fat të keq, deri sot, nuk di, që nga Ministria e Financave apo ajo e Arsimit dhe sporteve të ketë pasur ndonjë fushatë sensibilizuese, ndonjë diskutim, konsultim apo bashkëpunim me grupet e interesit , që nuk janë pak: 44 000 nxënës, që frekuentojnë 256 shkollat private, rreth 5 000 mësues mbi 86 000 prindër, qindra drejtorë e ekspertë të arsimit, një shoqatë e shkollave private e njohur ligjërisht etj.

Megjithë respektin për ministren, për artikulimin e saktë e të qarte permanent të saj, për profesionalizmin, përkushtimin, angazhimin dhe pse jo për patriotizmin e saj të theksuar për forcimin e financave të qeverisë, nuk jam dakord dhe nuk mund të jem, për faktin e thjeshtë se po cënohet kolona vertebrale e një shteti, sic është edukimi.

Arsimi privat duam apo nuk duam ne, sot, aktualisht është ndër alternativat më të besueshme në fushën e edukimit, krahasuar pse jo edhe me arsimin publik. Rezultate tepër të larta në nxënie e mësimdhenie, në teknologji, në edukimin qytetar, etik e moral, në standarde tepër të avancuara në aspektin shkencor e pedagogjik, në risi, të krahasueshme me ato europiane etj.

Një alternativë, që çdo vit rritet, në një kohë kur arsimi publik tkurret. Një alternativë e suksesshme, që pa përkrahjen e askujt është një realitet i prekshëm. Por, aplikimi i TVSh do ta trondisë atë. Pse?

1. Po cënohet interesi publik në edukim. Dihet, që kjo taksë në fund të fundit do t’i adresohet prindërve, familjeve shqiptare. Por këta prindër, si të gjithe qytetarët e Republikës së Shqipërisë paguajnë taksa, nga të cilat financohet edhe arsimi publik.

Njëkohësisht këta prindër, në krahasim me të tjerët, po paguajnë shkollat private për një sherbim më cilesor, që nuk e gjejnë plotësisht në arsimin publik. Dhe tani shteti, qeveria, çuditërisht i ngarkon edhe me një taksë tjetër, TVSh?!

Bazuar në një përvojë mbi 20 vjecare në shkollat private, në të gjitha ato raste kur është kërkuar ndonjë pagesë plus jo e argumentuar, ashtu sic po ndodh aktualisht me TVSH, do të ketë kosto në largimin e një pjese jo të vogël të nxënësve nga këto shkolla.

Dhe në këtë rast janë humbës të gjithë. Nxënësit, që humbin një arsimim më cilesor. Shtetit që do t’i shtohen kostot në buxhet për këta nxënës që do të largohen dhe që do të kalojnë në shkollat publike. Shteti përseri do të humbasë, se do të vjeli më pak taksa nga shkolla private, pasi zvogëlohet numri i nxënësve.

Shteti përseri humbet pasi nga zvogëlimi i numrit të nxënësve do te largohen edhe disa mësues, të cilët mund të mbeten pa punë, për te cilët ka detyrimin moral për t’i sistemuar. Shkolla private humbet, pasi fuqia ekonomike e saj dobësohet, çka do të thotë më pak rroga për mësuesit, më pak investime në teknologji, më pak cilësi.

Pra, me TVSH në arsim shteti është humbësi i madh. Sepse humbet arsimi cilësor, humbasin familjet shqiptare, humbasin financat shqiptare.

2– Shkollat private në Shqipëri, si biznes, ndryshojne shumë nga bizneset e tjera. Ato i nënshtrohen të gjitha taksave dhe detyrimeve financiare e tatimore, njëlloj si bizneset e tjera (perveç tvsh) , ndërkohë që marëdhëniet e këtyre bizneseve të tjera me shtetin mbarojnë këtu, me shkollat private kjo mardhenie vazhdon më tej.

Ato me veprimtarinë e tyre unikale ku prodhohet edukim, ashtu pa dashje e pakuptuar i kursejnë, apo i falin shtetit miliona dollarë ne vit , nga shpenzimet që do të bënte shteti , nëse nxënësit e shkollave private do te frekuentonin shkollat publike.

Konkretisht 44.000 nxënësit që frekuentojnë shkollat private i kursejne shtetit rreth 66.000.000$ ( 44.000nx. × 1.500 $ /vit nxenes, nëse kostoja e një nxënësi është 1500 $ sipas deklarimit te MAS disa viteve më parë, ndër më të ultat në Ballkan )

E pra, nëse kjo taksë do të aplikohet, me shumë gjasa shteti mund t’i humbasë këto miliona dollarë, pasi fëmijët do të kthehen në shkolla publike, por jo vetëm, ai duhet të shpenzojë edhe po kaq miliona për këta nxënës që i shtohen arsimit publik. Shteti përsëri do të jetë një humbës i madh.

Në se përfaqësues të qeverisë apo legjislativit mendojnë se këtë taksë TVSH, duhet ta zgjidhë shkolla me prindin, me gjasa për t’ja ngarkuar shkollës, kam bindjen, bazuar në informacionin e saktë, se minimalisht 80% e këtyre shkollave nuk do të egzistonin apo mbijetonin më tej. Dhe shteti do të duhej urgjentisht të vinte në dispozicion 45 -50 shkolla të reja, disa qindra milion euro për paga, siguracione, teknologji etj.etj.

3 – TVSH është një taksë shumë e rëndë për shkollat private. Ekspertet e Finances e dijnë shume mirë, se vlera e shtuar në biznesin e shkollave është shumë e madhe. Pasi, në perllogaritjen e TVSH nuk konsiderohen shpenzime pagat dhe sigurimet shoqerore, si dhe qeratë e ndërtesave, të cilat përbejne 80 deri85% te shpenzimeve të këtyre shkollave. Duke mos u marrë në konsideratë këto shpenzime , vlera e shtuar zmadhohet frikshëm dhe 20% TVSH së kësaj vlere të shtuar po ashtu.

4 – Çfarë thotë përvoja europiane? Po, arsimi privat i nenshtrohet TVSH, por arsimi privat në rreth 70% a më shumë të vendeve europiane rifinancohet nga shteti në nivelet nga 40 deri 80% te shpenzimeve të kryera nga shkolla. Keto financime apo subvencione janë të mbështetura në ligj, apo në kontrata midis shtetit dhe shkollave private.

Dhe këto subvencione apo financime të shtetit mbështeten nga një logjikë e thjeshtë. Një pjesë të parave që fiton shteti nga mos financimi në buxhet i nxënësve që frekuentojnë shkollat private, ja rifinancon shkollave në masën nga 40 deri 80% te shpenzimeve të kryera nga ato. Shteti jonë nga 66 million $ qe përfiton sipas logjikes së mësipërme, të mos rifinancojë 40 deri 80% të shpenzimeve këto shkolla private si vëndet e BE ku kërkojmë të shkojmë, por të rifinacojë minimalisht 20% dhe nuk ka më probleme.

Një argument që po përdoret për aplikimin e TVSH është se këtë e kërkon FMN.Pra, FMN po imponon qeverinë të vendosi TVSH në arsim, për të plotësuar një standard europian, duke varfëruar familjet shqiptare dhe fuqizuar financat shqiptare?!

Bukur! Por besoj se FMN duhet të ketë nderin që po me te njejten logjike dhe standard europian t’i imponojë qeverisë shqiptare të subvencionojë këto shkolla, nga ato para që përfiton po nga këto shkolla, gjithmonë duke respektuar standardet europiane.

Gjithësesi, unë nuk do te doja të besoja se ligjvënësit shqiptarë dhe qeveria shqiptare do te vendosin aplikimin e TVSh në arsim për arsyet e mesiperme, por jo vetëm.

Do të doja të besoja se kur bëhet fjalë për arsimin të përkulemi pak më me respekt për ata që kanë investuar dhe po investojnë për një edukim më cilësor, për ato mijra familje shqiptare që kontribuojnë për këtë arsim më cilësor, për këta mijra mësues e drejtues që besojnë tek ky arsim cilësor dhe që angazhohen e përkushtohen maksimalisht për të realizuar këtë arsim cilësor.

Do të doja të besoja se arsimi privat do të ndjejë dhe të prekë dorën e ngrohtë të qeverise, qoftë edhe me raste , dhe jo të ndodhë siç ndodhi në kohën e pandemisë, kur të gjitha bizneset e mëdha u financuan nga qeveria , ndërsa ky biznesi i madh i shkollave private u anashkalua, apo u harrua.

Apo siç po ndodh tani me çvlerësimin e euros, (shume shkolla private operojnë me euro) kur qeveria po përpiqet të gjejë hapësira ligjore dhe financiare për të ndihmuar ndërmarrjet Fason (dhe shumë mirë bën ), ndërsa për shkollat private, sikur ato nuk egzistojnë.

Persëri, gjithsesi do te doja të besoja se ligjvënësit shqiptarë dhe qeveria shqiptare minimalisht do të kujtohen për këtë alternative të sukseshme në sistemin arsimor shqiptar dhe maksimalisht t’a mbështesin atë, të mbështesin arsimin në përgjithësi , si e vetmja shpresë që na ka mbetur, për ta parë me optimizem të ardhmen e Shqiperisë.

*Prof. As. Dr Jetmir Aliçka është Kryetar i Bordit i Shoqatës së Shkollave Private të Shqipërisë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbështetet arsimi dhe shëndetësia

Dërgohet në qeveri projektbuxheti për vitin 2020

Kërkojnë ulje të taksave

Bizneset kundër paketës fiskale 2023