Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut, dhe ish-avokatin e shtetit, Irgen Kërçuku, të cilët akuzohen për korrupsion, dhe ka dërguar çështjen në gjyq.
Sipas SPAK, Irgen Kërçuku, i cili në atë kohë mbante detyrën e avokatit të shtetit, ka marrë një shumë prej 900 000 lekësh të reja nga Aleksandër Laho, për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës .
Aleksandër Laho akuzohet se ka tjetërsuar 45 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Gjirit të Lalzit.
Sipas të dhënave në dosjen hetimore, Prokuroria ka prova të forta, siç janë 2 video që u gjetën në telefonin e Aleksandër Lahos, që mendohet të jenë regjistruar në vitin 2017.
“Rrumi” i Shijakut shfaqet duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Ish-avokati, i vënë nën hetim, ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendoi në dëshmi se “Rrumi” i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.235 të vitit 2020 dhe në përfundim të tyre në datën 25.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:
• Irgen Kërçuku, akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, sipas parashikimeve të kësaj dispozite në kohën e kryerjes së veprës penale.
• Aleksandër Laho, akuzar se ka kryer veprën penale “ Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.
Në analizë të veprimeve hetimore të kryera është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Irgen Kërçuku, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë nga i pandehuri Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës .
I pandehuri Aleksandër Laho në bashkëpunim me persona të tjerë i ka dhënë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë, avokatit të shtetit në zyrën vendore Durrës, të pandehurit Irgen Kërçukut, për atë personalisht, me qëllim për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
Veprimet hetimore të këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.
Hetimet vazhdojnë në një procedim të ndarë për fakte të tjera penale.