Nuk ka komunikim zyrtar, as një dorëheqje të parevokueshme të trajnerit, por “kambanat” po bien për një largim të Orges Shehit nga stoli i Skënderbeut.Tri humbje rresht, rrëshkitje në vendin e katërt në renditje dhe një lojë që nuk bind e ka cuar teknikun durrsak në këtë pikë.
Pas humbjes kundër Luftëtarit, Shehi i ka komunikuar dorëheqjen presidentit Ardjan Takaj. Edhe pse në intervistat pas ndeshjes Shehi ishte i nervozuar me gjykimin, në të vërtetë zhgënjimin më të madh e ka me skuadrën.
Një lojë aspak e mirë, pa nerv dhe me shumë gabime, asnjë reagim as pas humbjeve të fundit dhe një humbje e pafalshme, ndaj një rivali në krizë të thellë, kanë bindur Shehin se është momenti të marrë një vendim drastik, edhe pse duket i nxituar.
Shehi e nisi shumë mirë sezonin, duke bërë gjëra fantastike me një skuadër të rinuar dhe qartësisht jo në nivelin e sezonit të shkuar, pas largimit të shumë emrave me peshë.
Edhe pse në eksperiencën e parë si trajner, ish-portieri legjendar bëri zgjedhjen e duhur, sepse ambienti në Korçë është ideal për të punuar, por në një kampionat të egër si ai i yni është e qartë që skuadra e re dhe pa eksperiencë e Skënderbeut do të haste probleme herët a vonë.
Presidenti Takaj, i cili nuk u largua nga Korça pas ndeshjes, nuk ktheu përgjigje mbrëmë, duke kërkuar kohë para se të vendosë, ndërsa sot priten zhvillime të reja. Ndoshta dorëheqja e Shehit do të refuzohet, pasi vendimi është marrë në momente gjaknxehtësie, por klubi nuk ka dalë ende me një vendim. (Telesport.al)