U zhvillua sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, mbledhja e parë, për krijimin e Ligës Profesioniste. Me vendim unanim u vendos që president do të jetë Edvin Libohova.
Në përfundim të mbledhjes, në një prononcim për mediat, presidenti i FSHF-së Armand Duka, tregoi për rëndësinë e formimit të kësaj Lige dhe mënyra se si do të procedohet.
“Mbledhja në fakt ishte iniciativë e klubeve të Kategorisë Superiore, për deponimin apo përfundimin e procesit të Ligës Profesioniste. Mbledhja përfundoi me sukses. U vendos krijimi i Ligës. U bënë dhe zgjedhjet për drejtuesin e saj.
Me konsensus të të gjitha klubeve, u zgjodh Edvin Libohova për ta drejtuar Ligën. Tani duhet bërë regjistrimi sipas procedurave juridike dhe më pas do të fillojë aktivitetin e saj duke marrë në dorë, administrimin, organizimin dhe mirë menaxhimin e aktivitetit të Kategorisë Superiore.
Teorikisht duket një proces shumë i mirë dhe i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Duke qenë në interesat e një grupi më të ngushtë se FSHF-ja, do t’i shohin më mirë, do t’i menaxhojnë më mirë.
Do kujdesen më mirë për të rritur imazhin. Për ta mbrojtur më shumë dhe për t’i diskutuar problemet në tavolinë dhe jo jashtë saj. Mungesa e Tiranës në dijeninë time ishte për arsye objektive, jo se janë kundër Ligës. Kanë firmosur edhe statutin.
Të gjitha të drejtat e manaxhimit të aktivitetit të Kategorisë Superiore do t’i ketë Liga. Qofshin këto të drejta emrit, të marketingut, të reklamat, të gjitha. Komisionet do të jenë 1 dhe nuk mund të ketë komisione paralele.
Federata do t’i japë akses Ligës që të kontrollojë 100% ato që i takojnë Ligës. Presidenti Libohova nuk do të japë dorëheqjen nga posti i zv.presidentit të FSHF-së” – u shpreh Armand Duka, kreu i FSHF-së.
Presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, njëkohësisht edhe zëvendëspresident i FSHF-së, ka folur pas mbledhjes së sotme, duke treguar se çfarë hapash do të ndërmerren dhe çfarë roli do të ketë Liga e sapokrijuar.
“Prej kohësh kemi diskutuar me ekipet e Superligës për të krijuar Ligën Profesioniste. Qëllimi është që brenda këtij grupimi të gjejmë rregulla dhe forma organizimi, që të ndihmojnë garën dhe për të rritur të ardhurat financiare të klubeve.
Dihet që pa një financë të fuqishme, futbolli nuk mund të ecë para. Kemi dakordësuar të gjitha problemet që kishin me statutin dhe shumë shpejt do të fillojmë të rregullojmë marrëdhënien me Federatën për kuadrin rregullativ, sepse Liga, pas krijimit të saj, do të jetë anëtare e FSHF-së.
Qëllimi kryesor është industrializimi i procesit dhe tani fillon puna reale. Janë një sërë fazash që duhen ndjekur për të arritur aty ku mendojmë. Një pjesë e klubeve kanë probleme dhe do të jetë një nga prioritetet që Liga do të ketë për të sistemuar financat e klubeve, por dhe për të gjetur rrugë si të jenë më efektive, jo thjeshtë për të luajtur futboll.
Ka pasur diskutime lidhur me dakordësinë e statutit, pasi ka dy këndvështrime. Liga do të jetë krejtësisht e pavarur, apo do të jetë një element apo një institucion brenda FSHF-së?
Do të jetë si anëtarët e tjerë, por me një organizim ndryshe, duke gjetur dhe gjuhën për të zbatuar dhe kuadrin legjislativ sportiv që kemi ne, por dhe kriteret që ka FIFA dhe UEFA për të tilla formate.
Hapi i parë do të jetë regjistrimi në gjykatë, por që është punë ditësh, pasi u arrit dakordësia. Nuk ka ndryshime. Nga pikëpamja e statutit, çdo klub i Superligës humbet të drejtën e pjesëmarrjes në Ligë, sapo del nga Superiorja dhe e kundërta, çdo klub që ngjitet bëhet pjesë e Ligës.
Nëse një klub hyn në Superligë dhe nuk pranon të jetë anëtar i Ligës, mund të vazhdojë, por pa përfitimet që vijnë nga Liga dhe kjo nuk u leverdis. Pozicioni im? Është kompetencë e Asamblesë, sepse do bëhen ndryshime në statut që kryetari i Ligës do jetë automatikisht pjesë e KE-së.
Të tjerat do diskutohen më tej. Liga do të jetë gati për sezonin e ardhshëm. E drejta televizive do të jetë menaxhim 100% vetë. Kontrata aktuale nuk mund të ndërpritet, por ka edhe burime të tjera dhe do të ketë negociata. Vitin e parë mos prisni çudira.
Do të kërkojmë forma të tjera, duke nisur nga emri i Superligës, që mund të krijojë të ardhura të mëdha nga sponsori që do të blejë të drejtën e emrit. Nuk mund të jap shuma për klubet, por synojmë që me kalimin e viteve të ardhurat të rriten”, – tha pas mbledhjes Libohova.
Në formimin e Ligës Profesioniste pjesëmarrës ka pasur drejtues nga klube të ndryshme të Superiores. Për Partizanin, ishte drejtori Olsi Rama, i cili në një prononcim pas mbledhjes, ka treguar detaje nga ajo që u diskutua në mbledhje.
“Pikat e vështira? Nuk patëm ndonjë vështirësi, ne kishim sjellë disa mendime në projektin e paraqitur, të cilat u diskutuan dhe u panë me vëmendje, pasi gjithçka duhet të bëhet konform dispozitave të rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s.
Liga do të jetë një shoqatë që do të anëtarësohet në Federatë dhe të gjitha, duke nisur nga statuti dhe akti i themelimit duhet të jenë konform rregullores së UEFA-s, pasi ne nuk mund të bëjmë gjëra ndryshe nga se janë rregulloret që më pas mos të pranohen nga instancat më të larta.”
Libohova? Nuk ishte një propozim i imi, ishte edhe i të tjerëve. Zoti Libohova ka qenë i ngarkuar si nismëtar. Në statut ishte parashikuar që të mos ketë persona nga klubet, për arsye se në situatën ku ne jetojmë mund të krijonte një ngërç në raportet me klubet e tjera. Duke qenë se është një person që e njeh futbollin, ishte propozimi më i natyrshëm për të filluar këtë punë.
Amendamentet? Në përgjithësi kishin të bënin me garantimin e një dige që do të funksiononte në mënyrë sa më të pavarur nga FSHF, duke marrë parasysh ato kanale që i lidhin në mënyrë organike me Federatën.
Është komisioni i arbitrave, i cili sipas propozimeve që u bë do të ketë imput nga Liga dhe nga disenjatori që do të caktohet. Këto janë gjëra që do të sqarohen më pas nga një marrëveshje që do të bëjë Liga me Federatën.
Arbitrat? Shoqata e arbitrave është e pavarur. Arbitrat duhet të certifikohen, duhet të kalojnë të gjitha kategoritë që ju të gjithë i dinë. Ideja është që Liga të ketë imputon e vet, duke caktuar disenjatorin, i cili do të caktojë gjyqtarët për ndeshje e Ligës.
E drejta televizive? Një nga elementët kryesor të organizimit të Ligës është ideja për të marrë të drejtën komerciale dhe një prej tyre është e drejta televizive. Është shumë e rëndësishme që të marrë një emër dhe jo vetëm Superliga.
Të ketë një sponsor gjerman, çka do të ndihmonte në arkën e çdo ekipi. E drejta televizive është e firmosur nga Federata dhe do të transferohet, ende nuk e di se ku juridikisht, kush mund të jenë kompetencat e ligës për ta diskutuar këtë kontratë”, – u shpreh Olsi Rama.