Klubet nga Arabia Saudite po bëjnë bujë të vërtetë në tregun e transferimeve të futbollit këtë verë, pasi arritën të tërheqin me para disa prej yjeve më të mëdhenj, por jo ehe portierin Wojciech Szczesny.
Portieri i Juventusit hodhi poshtë qartë dhe me zë të lartë mundësinë që ai të transferohej në këtë vend për të luajtur futboll.
“Oferta nga Arabia Saudite? Kam fituar mjaftueshëm në jetën time. Preferoj sfidat argëtuese dhe mbrojtja e portës së Juventusit është sfida më e mirë e mundshme”, ka thënë fillimisht Szczesny.
Polaku ishte një temë e shpeshtë e mediave italiane këtë verë, të cilët e zhvendosnin vazhdimisht nga një klub në tjetrin.
“Kam lexuar shumë pak për veten time dhe e vetmja gjë që di është se të gjitha këto tekste vështirë se mund të më prekin”.
“Unë do të jem lojtar i Juventusit për aq kohë sa ata më duan. Dëshira për të rifituar Scudetton po bëhet gjithnjë e më e madhe. Ne jemi të frustruar që nuk kemi fituar trofe kohët e fundit, sepse ky klub është mësuar të fitojë”, përfundoi polaku.
Portieri me përvojë i kombëtares polake ka vendosur t’i qëndrojë besnik “Zonjës së Vjetër”, golin e së cilës e mbron që nga viti 2017 dhe së fundmi ai ka nënshkruar kontratë të re deri në fund të verës së vitit 2025.