MENU
klinika

Analiza

Vera përvëluese e Italisë ‘djeg’ politikisht Giorgia Melonin

26.08.2023 - 17:01

Ndryshimi i klimës ndihet në Itali

Andrea Giambruno është një prezantues në rrjetin televiziv të themeluar nga i ndjeri Silvio Berlusconi.

Në korrik, ndërsa temperaturat në disa pjesë të Sicilisë dhe Sardenjës arritën në më shumë se 45°C, ai e hapi programin e përditshëm me këto fjalë:

“Lajmi, nëse mund ta quajmë të tillë, është se në korrik do të jetë nxehtë dhe në dhjetor, ndoshta do të bjerë borë. Por, sipas ambientalistëve, fajin e kemi ne publiku”. Pikëpamje të tilla nuk janë aspak të pazakonta nëpër mediat italiane.

 

 

Por në këtë rast, ajo që ra në sy ishte se gazetari, i cili shprehu këtë propagandë, është partneri i kryeministres Giorgia Meloni dhe babai i fëmijës së tyre, shkruan The Economist.

Këtë vit, Italia ka vuajtur më shumë se çdo shtet tjetër europian, përveç Greqisë, nga moti i skajshëm: jo vetëm zjarret e furishme në jug, por edhe stuhitë shkatërruese me breshër dhe tornado në veri të vendit, kanë shkaktuar dëme që vetëm në rajonin e Lombardisë, kushtojnë rreth 100 milionë euro (110 milionë dollarë).

Skepticizmi ndaj ndryshimeve klimatike (mjaft i përhapur mes votuesve të zonjës Meloni), mund të sjellë telashe elektorale për kryeministren: një sondazh i vitit të kaluar, zbuloi se 82% e italianëve mendojnë se ndryshimi i klimës është shkaktuar nga njeriu, që do të thotë se në Itali, kjo pikëpamje pranohet më gjerësisht se në çdo vend tjetër europian të anketuar (në Norvegji ishte 61%).

Nuk dihet me siguri nëse zonja Meloni ka të njëjtin qëndrim si partneri i saj. Në një video javën e kaluar, ajo pranoi se urgjencat e lidhura me klimën, do të ishin gjithnjë e më të zakonshme, por e shmangu arsyen se pse.

Ajo pranoi gjithashtu se Italia duhej të rregullonte politikat e saj mjedisore dhe energjetike, por theksoi se përparësi do të ishte “ruajtja e territorit” dhe njoftoi një “plan të madh hidro-gjeologjik” që synonte të parandalonte përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe erozionin bregdetar.

Megjithatë, më pas u zbulua se qeveria e saj po planifikonte të vononte paraqitjen e një skeme të tillë, ku 1.3 miliardë euro në grante dhe kredi ishin caktuar si pjesë e programit të Italisë për rimëkëmbjen nga pandemia.

Nicola Procaccini, kreu i Departamentit të Energjisë dhe Mjedisit në Partinë Vëllezërit e Italisë (FdI), të zonjës Meloni, nuk pranon se në departament ka njerëz që i mohojnë ndryshimet klimatike (megjithëse ai pranon se ka pasur “disa debate mbi kontributin e veprimtarisë njerëzore”).

Zoti Procaccini, deputet dhe bashkëkryetar i grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Europianë në Parlamentin Europian, ku është anëtare edhe partia e zonjës Meloni, FdI, thotë se politika e partisë është frymëzuar nga mendimi i Kishës Katolike dhe i filozofit britanik, Roger Scruton.

Ajo mbështetet në idenë se njerëzimi është “kujdestar i krijimit” dhe partia mendon se kjo pikëpamje bie ndesh me mendimin e majtë mjedisor, i cili “dëshiron ta dëbojë njeriun nga natyra”, thotë ai.

Ky lloj mendimi tradicional propozon një qasje përshtatëse dhe një tranzicion më të përshkallëzuar për të lënë kohë për zhvillimin e teknologjive të reja për zbutjen e ndikimit të pasojave.

Megjithatë, një plan kombëtar për përshtatje, i mbështetur nga ish-kryeministri Mario Draghi, duket se ka ngecur.

Plani i qeverisë së tanishme për energjinë dhe klimën, i dërguar në Bruksel në korrik, përfshin një ulje më të vogël të emetimeve se sa kërkohet nga Komisioni i BE-së, por objektiva më ambicioze për energjinë e rinovueshme se në planin e mëparshëm të vitit 2020.

Politika e partisë FdI, siç është përcaktuar në manifestin e saj elektoral, është nxitja e energjive të rinovueshme, por me synimin për të ulur varësinë energjetike të Italisë nga vendet e tjera.

Brenda koalicionit qeveritar ka dallime. Shefi i Partisë FdI në Senat, Lucio Malan, duket se vë në pikëpyetje edhe vetë ngrohjen globale, duke përmendur si dëshmi një reshje dëbore që ra në dimër në Sicili.

Por Luca Zaia, guvernatori i rajonit Veneto dhe anëtar kryesor i Ligës së Veriut, një parti aleate me FdI-në, e ka dënuar ashpër çdo formë mohimi të ngrohjes globale. “Kjo thjesht është e pakuptimtë”, tha ai muajin e kaluar.

Kur zonja Meloni mori pushtetin vitin e kaluar, Ministria për Tranzicionin Ekologjik, u kthye në Ministrinë e Mjedisit dhe Sigurisë së Energjisë, ndërsa “lëvizshmëria e qëndrueshme” u hoq nga titulli i Ministrisë së Infrastrukturës dhe u zëvendësua me “transportin”.

Kreu i mëparshëm i ministrisë, Enrico Giovannini, argumenton se mbi konservatorët e Italisë peshojnë dy faktorë.

Njëri është përhapja e pikëpamjeve që mohojnë ndryshimet klimatike nëpër media, veçanërisht në televizion, ku tre nga kanalet kryesore në vend operohen nga Mediaset (i krijuar nga zoti Berlusconi) dhe tre të tjerët, të gjithë në pronësi publike, po ndikohen gjithnjë e më shumë nga qeveria. Faktori tjetër, thotë zoti Giovannini, është ekonomik:

“Ndërsa shumë kompani italiane kanë investuar në programe ekologjike dhe si rezultat, pjesët e tyre të tregut janë rritur, madje ato janë duke u bërë udhëheqëse në treg, ka kompani të tjera që nuk duan të ndryshojnë.

Dhe këto të fundit janë ato më të zhurmshmet”. Në mënyrë të pashmangshme, kritikët ushtrojnë ndikim më të madh në një qeveri të krahut të djathtë si ajo e zonjës Meloni, se sa do të ushtronin nëse e majta do të ishte në pushtet.

Një grua e re në një festival filmi në Italinë Jugore, javën e kaluar qau ndërsa i tha ministrit të Mjedisit, Gilberto Pichetto Fratin, se nuk e dinte nëse dëshironte të sillte në jetë fëmijë, në një botë me një të ardhme kaq të pasigurt.

Edhe ministri thuajse u përlot, teksa i tha se kishte një detyrë “për nipërit tuaj dhe për nipërit e mi”. Por para kësaj përgjigjeje, bëri një koment enigmatik: “Unë kam fuqinë e dyshimit”./monitor/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN