Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujton sot intelektualin, fratin françeskan, teologun, shkrimtarin, filozofin, At Zef Pllumi.
At Zef Pllumi lindi më 28 gusht 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhës. Studioi në liceun “Illyricum” të etërve franceskanë dhe u përgatit në disa fusha si teologji, letërsi, filozofi. Gjithashtu përvetësoi mjaft mirë gjuhët e huaja si italishten, frëngjishten, gjermanishten, latinishten dhe greqishten e vjetër.
Më 14 dhjetor 1946 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burg në moshën 22 vjeçare. Në vitet 1949-1951 u angazhua me pasion në studimin e monedhave të vjetra në Muzeun e Shkodrës. Më vonë do të shërbente si meshtar i zonës së Dukagjinit për rreth 12 vjet. Në vitin famëkeq 1967 u arrestua dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si në Spaç, Reps, Ballsh, Skrofotinë të Vlorës, Zejmen-Shën Koll, Shën Vasil dhe Tiranë.
Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit religjioz, u përpoq të kontribuonte në lëmin e kulturës dhe edukimit, aq të dëmtuar përgjatë pesëdhjetë vjetëve.
Nën udhëheqjen e tij, nga viti 1993 deri 1997 publikoi sërish revistën “Hylli i Dritës”. At Zef Pllumi botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhaj”, “Ut heri dicebamus”, “Frati i pashallarëve Bushatlli Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijnisë”.
Një ndër nismat e tij me vlerë të pazëvendësueshme ishte dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi përgjatë viteve të komunizmit, si dhe përpjekja për gjetjen e eshtrave të At Gjergj Fishtës.
Në vitin 2006, u dekorua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës. Po atë vit mori çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në Romë, Itali, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.