MENU
klinika

Rama u bën premtim mjekëve

“Do sjell robotë për ndërhyrje kirurgjikale në Shqipëri”

29.08.2023 - 13:18

Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të procesit të sterilizimit në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, ka theksuar se vitin që vjen do të vijë roboti në Shqipëri, për kryerjen e vaskirurgjive ose kirurgjisë laparoskopike në sallat e operacioneve.

Rama: Kur e kemi bërë këtë diskutim ishim të vetmit në Ballkan, por edhe Europë nuk diskutohet, që ishim në prapambetje dhe krim, sepse e bën të paevitueshme që të rëndosh shëndetin e tjetrit, të futesh në gjynah me shëndetin e tjetrit dhe të rrezikosh shëndetin e tjetrit sepse nuk të jep shteti veglat që të bësh punën e pastër.

Mjeku kirurg: Përtej numrave që përmendi ministrja Manastirliu, efiçencën dhe të gjithë rezultatet, ne si kirurgë kemi atë sigurinë që jemi duke përdorur veglën e duhur dhe është rritur edhe gama e ndërhyrjeve me rrezikshmëri më të lartë sepse ne ndjehemi më të sigurt në atë që bëjmë. Plus edhe diçka që ndoshta nuk dihet, në këto sete ne çdo material që nuk është në gjendje pune e denoncojmë si të tillë dhe ditën e nesërme nuk është më. E zëvendësojnë apo diçka e tillë, çka përbën një bons për ne sepse vërtetë blihej seti dikur, por vetëm kur fironte shihej që veglat nuk ishin më 250 saç duhej në set, por kishin përfunduar 230 sepse s’merrej më njeri me këtë.

Mjek: Unë doja të shtoja edhe diçka, ndofta duhet kaluar një etap tjetër edhe për spitalin që është qendër shumë e madhe në Shqipëri. Këto vaskirurgjitë ose kirurgjia laparoskopike…

Rama: Jemi duke punuar në këtë pjesë…

Mjeku: Tani nuk po themi tek roboti por…

Rama: Jo jo, tek roboti po themi. Jemi duke punuar në këtë pjesë dhe besoj që vitin tjetër do të sjellim robotët. Ne po përgatitemi që t’i sjellim, por duhet të dini diçka që ndërhyrja kirurgjikale me robot nuk është diçka shumë e hershme në Evropë. Është shumë e re.

Mjeku: Ne kemi edhe moshën e tillë që nuk mund të sigurojmë…

Rama: Do ta kapësh robotin. Instrumentat këtu janë gati për në sallë ë?

Mjekët: Po po.

Rama: Kur erdhën pajisjet e para kam marrë një gërshërë unë këtu, por ka një prerje që… Po bëjeni një stendë këtu në mur, me këto pajisjet (relike të përdorura më herët për kryerjen e kirurgjive).

Mjekja: Po e kemi menduar.

Rama: Këto kazanat na i jepni ne t’i çojmë në parlament.

Mjekët e përcollën kryeministrin me një merak, rritjen e rrogave për bluzat e bardha.

“Aman mos harro rritjen e rrogave”- i tha një prej mjekëve kreut të qeverisë teksa po i jepte dorën në fund të inspektimit. Koment ky, të cilin Rama e pasoi duke theksuar se: “Po jo more, çfarë është kjo. Rritja e rrogave vazhdon. Ku do të shkojmë ne pa atë, e kemi thënë. Ne do ta bëjmë rrogën për mjekët dhe infermierët që po ta llogarisësh çfarë ngel në fund, të ngelet sa në Gjermani. Sepse ata e kanë më të lartë, por ndërkohë taksat, sigurimet, këto e ato, bëjnë të vetën… Është punë e bërë kjo, nuk diskutohet.”