“Nga Policia e Elbasanit është blinduar gjykata, është krijuar një perimetër sigurie nga strukturat e policisë pasi ky grup është një nga grupet më të rrezikshme kriminale që ka vepruar kryesisht në Shqipërinë e Mesme, por në bazën e tyre ndodheshin në zonën e Unazës së Re ku Laert Haxhiu kishte jetuar prej disa kohësh”, raportoi gazetarja Daci.
Gjatë ditës së sotme, Prokuroria e Elbasanit do të kërkojë edhe shpalljen e moskompetencës për këtë çështje. “Duke qenë se kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal dhe çështja do të kalojë në dyert e SPAK”, tha gazetarja Daci.
Të arrestuarit që dalin para gjykatës
1-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç
2-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç
3-Ligor Romacka, 31 vjeç
4-Erisiano Abedini, 32 vjeç
5-Bledar Berberi, 34 vjeç
6-Maringlen Topuzi, 37 vjeç
7-Bujar Abedini, 49 vjeç
8-Enriko Xhahysa, 23 vjeç
9-Klea Gjata, 27 vjeçe,
10-Idriz Manej, 68 vjeç
11-Fatjon Veliu, 36 vjeç
Sa i përket Laert Haxhiut, ai ndodhet i burgosur në Greqi. I konsideruar si person i shumëkërkuar nga policia shqiptare, ai u kap në Janinë në Maj të këtij viti.
Haxhiu po lëvizte me një makinë BMW, kur u arrestua nga autoritetet atje, së bashku me dy shqiptarët e tjerë. Por përpara se të viheshin në pranga, ata tentuan t’i iknin policisë greke. Gjatë kësaj kohe përplasën të paktën 3 makina të tjera e më pas përfunduan duke goditur edhe një bordurë. Krahas arrestimit, policia u gjeti 3 shqiptarëve dhe 1400 Euro.
Laert Haxhiu ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjes me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona. Ngjarje kjo që si zanafillë ka hakmarrjet që lidhen me konfliktet e vjetra të bandës së Lushnjes. Sakaq Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit.
6 vrasje, 5 shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe 3 tentativa për kryerje vrasjesh janë zbardhur nga Policia e Shtetit falë të penduarit, Artan Tafani. 39-vjeçari është anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares dhe ka zbuluar disa ngjarje të rënda kriminale.
Tafani u arrestua para një jave për vjedhjen e 30 mije eurove në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit, krim i ndodhur para 3 muajsh. Pasi u arrestua nga policia, ai ka treguar me detaje ngjarjet kriminale ku ka marrë pjesë bashkë me anëtarët e tjerë të grupit.
Në lidhje me operacionin e policisë “Never Forget” u lëshuan 16-urdhërarreste. 4 prej tyre nuk janë ekzekutuar ende pasi këta persona ndodhen në kërkim.
Të shpallurit në kërkim
1-Lorenc Lala (alias Ilir Lamberti alias Kristian Lala), 46 vjeç
2-Firdeuss Berberi, 22 vjeç,
3-Kristi Bixheku, 28 vjeç
4-Ederin Caushi, 36 vjeç.
Falë dëshmive të të penduarit të drejtësisë policia ka mundur të zbardhë vrasjen e Alban Semakut, Çajup Selimit, albi Bashaliut, Fridman Xhaferrajt, Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit. Këta dy të fundit u ekzekutuan në Greqi.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raportoi se prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, është marrë në mbrojtje nga institucionet pas dyshimeve se grupi i Laert Haxhiut do të kryente atentat ndaj saj.
Doloreza Musabelliu
Sipas të njëjtave burime, është njoftuar Policia e Shtetit dhe Këshilli i Prokurorisë që të përcaktojnë mbrojtjen për prokuroren dhe familjen e saj. Sipas gazetares Daci, Musabelliu është prokurorja e cila ka në dorë dosjen e Laert Haxhiut për atë që njihet si “masakra e Lushnjes”.
Në këtë ngjarje të rëndë, në Shtator të vitit 2017 u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha. Për këtë çështje në shkallë të parë është dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.