Leku ka regjistruar një nivel të ri mbiçmimi ndaj valutave dhe sidomos monedhës së përbashkët europiane.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, në mbyllje të kësaj jave monedha shqiptare u këmbye me 104,42 euro. Ky është edhe niveli më i ulët nga 25 Gushti ku monedha europiane regjistroi vlerën më të lartë në 110,58 lekë, pas një ecurie zhgënjyese gjatë sezonit turistik.
Ndërkohë, dollari amerikan ka rifituar lehtë terren duke u këmbyer me 97,84 lekë, por mbetet në vlera ende të ulëta.
Mbiçmimi i lekut ndaj valutave u shpjegua me hyrjet e larta të këtyre të fundit gjatë një sezoni të suksesshëm turistik. Por, ndonëse kjo është lënë pas tashmë, ecuria e euros vijon në rënie nga dita në ditë.
Nënçmimi i euros ka qenë një nga shqetësimet kryesore të sipërmarrjeve shqiptare që prodhojnë për eksport, të cilat i vlerësuan humbjet në rreth 50 milionë euro. Por, nga ky fenomen është prekur edhe buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave zyrtare, vlerësohet se arkës së shtetit i mungojnë të paktën 15 miliardë lekë deri në fund të shtatorit, për shkak të programimit të të ardhurave mbi bazën e supozimeve të kursit të këmbimit euro/lek për rreth 120 lekë dhe USD/lek, rreth 110 lekë.
Ndërkohë, megjithëse ka ulur ndjeshëm huamarrjen në tregjet financiare ndërkombëtare, Ministria e Financave sheh në rritje të ndjeshme rrezikun e kursit të këmbimit sa i përket borxhit të jashtëm.
Për të frenuar disi këtë nënçmim të euros, në fillim të muajt gusht Banka e Shqipërisë njoftoi se do të rriste kuotat vjetore të blerjes së monedhës europiane në treg, nga 220 milionë, në 300 milionë.