Koncerti i Rona Nishliut në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit ishte një event i shumëpritur nga artdashësit shqiptarë. Pritshmëritë e publikut u përmbushën me interpretimin e shkëlqyer të këngëtares nga Mitrovica e cila ka ngritur në piedestalin më të lartë evropian vlerat muzikore shqiptare.
Rona Nishliu, interpretoi mbrëmë në TKOB, me prezencë të një orkestre jazz-i të stilit të viteve ’30-’40, karakteristikë e rrallë e programeve artistike në vendin tonë dhe rajon.
“Rona Nishliu & New Orchestra” sollën një stil muzikor të veçantë, si risi në prezantimin e veprave më të vlefshme të muzikës shqiptare. Përmbajtja muzikore e përzgjedhur me kujdes bëri bashkë disa nga veprat më të bukura të muzikës shqiptare. Ashtu siç ishte ishte parashikuar edhe nga TKOB, ky koncert reflektoi ndjesitë që përjetojmë çdo ditë në jetën tonë, dashurinë, rritjen, mallëngjimin, mallin, humbjen, idealin për vendin.