Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, i bëri jehonë suksesit të operas “Carmen”, vënë në skenën e TKOB fundjavën që lamë pas.
“Pasionante dhe energjike “Carmen” ndezi skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale.
Për 4 net radhë, Orkestra Simfonike, solistët dhe kori i TKOB-së sollën një “Carmen” shpëthyese të kompozitorit francez Georges Bizet, nën dirigjimin e maestros, Dian Tchobanov, me regji të Giandomenico Vaccari, dhe asistencën e Ada Gurrës.
Dy kaste mjeshtërore artistësh si Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Carlos Cardoso, Denis Skura, Armando Likaj, Artur Vera, Renisa Laçka, Nina Muho e shumë profesionistë të tjerë mbajtën pezull frymëmarrjen e publikut për 4 net rresht.
Muaji dhjetor nisi në TKOB me dramën e jetës së një gruaje, e cila sfidoi rregullat shoqërore dhe shpërfilli traditat e asaj kohe, duke kapërcyer kufijtë e teatrit tradicional.
Historia fillon në qytetin e Seviljes, ku një ushtar fisnik, Don José, takon Carmen-in, një vajzë pasionante dhe e lirë, e cila provokon ndjenjat e Don José-s, duke pasuar një zinxhir ngjarjesh që do të tronditin rregullat shoqërore dhe do të çojë në fatin e keq të të dy protagonistëve.