MENU
klinika

Studimi alarmant

Si ndikon stresi në kujtesën tuaj, sipas ekspertëve

16.12.2023 - 07:51

Togfjalëshi “jam i/e stresuar” është një nga më të përhapurit kohët e fundit. Por, pasojat mund të jenë mjaft serioze, aq sa të ndikojnë si fizikisht ashtu edhe mendërisht.

Simptomat fizike të shkaktuara nga stresi variojnë nga kërcitja e dhëmbëve tek një sistem imunitar i dobët, rritje e rrahjeve të zemrës, ndikim në shëndetin mendor etj. Studiuesit madje shkojnë më tutje kur thonë që stresi jo vetëm çon në rënie të kujtesës, por edhe në tkurrje të trurit.

Një hulumtim vlerësoi më shumë se 2,000 pjesëmarrës të shëndetshëm, të moshës së mesme dhe zbuloi se ata që treguan nivele të larta të kortizolit në gjakun e tyre (një hormon që lirohet pas stresit) kishin performancë më të dobët te testet e kujtesës. Analiza e mëtejshme zbuloi se vëllimi i trurit të atyre me nivele të larta të kortizolit ishte gjithashtu më i vogël se mesatarja, duke treguar një reduktim fizik të këtij organi.

Stresi mund të ndikojë te kujtesa, si në planin afatgjatë ashtu edhe në atë afatshkurtër, thotë Dr. Sarita Robinson, dekane e Psikologjisë dhe Shkencave Humane në University of Central Lancashire.

“Sa i përket stresit afatgjatë (i njohur si stresi kronik), kujtesa mund të ndikohet pasi ekziston një lidhje midis stresit kronik dhe simptomave depresive, të cilat mund të dëmtojnë proceset tona të kujtesës,” vijon mjekja Robinson.

Ajo shton se stresi gjithashtu mund të rrisë inflamacionin dhe kjo bën që truri të mos funksionojë siç duhet, ndërsa njëkohësisht rritet ankthi dhe depresioni si një cikël i vërtetë vicioz.