Pavarësisht se Panucci ka mohuar zërat për kalimin te Roma, ndryshe po ndodh në vendin fqinj. Eusebio Di Francesco vazhdon të jetë në fije të perit te stoli i Romës, dhe nëse ekipi nuk reagon, ai me shumë mundësi do të shkarkohet nga stoli i kryeqytetasve.
Ditën e djeshme bëri bujë lajmi se një nga emrat që mund ta zëvendësojë, është pikërisht trajneri i Kombëtares Shqiptare, Christian Panucci.
Edhe pse favorit mbetet Paulo Souza, siç raportojnë mediet italiane, tekniku Panucci ka nga pas mbështetjen e dy emrave të mëdhenj, siç janë Francesko Totti dhe Daniele De Rossi.
Ish-kapiteni legjendar dhe kapiteni aktual i Romës kanë luajtur së bashku te Roma dhe, nëse shkarkohet Di Francesco, ata e kanë bërë të qartë preferencën e tyre për Panuccin si pasardhës. Edhe presidenti i FSHF-së është gati ta diskutojë këtë tratativë.