Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile lëshon një paralajmërim për bashkitë Shkodër dhe Kukës që të marrin masa mbrëmjen e kësaj të mërkure dhe nesër, për shkak se do të preken nga reshjet e shiut.
Parashikimi nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave “IGJEO” tregon se sot pasdite (e mërkurë, datë 17) dhe nesër (e enjte, datë 18) priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive shoqëruar me shtrëngata në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Në qarqet Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare. Nesër (e enjte, datë 18) do të ketë reshje me intensitet të lartë në veri dhe qendër të vendit.
Në qarqet Shkodër dhe Kukës mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Në këtë kohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bashkitë të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.
Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, telefononi në numrin 08000911 të AKMC, e cila është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale.