U bënë pak më shumë se tre vjet që është tërhequr nga ndeshjet, por Kreshnik Qato, kampioni shqiptar, nuk heq dorë nga boksi në asnjë mënyrë. Të gjithë e mbajnë mend durrsakun që ngriti peshë zemrat e tifozëve shqiptarë, duke fituar ndeshjet njëri pas tjetrit.
Sot ai është trajner, në Londër, një punë që e bën me kënaqësi, aq më tepër që ka një shtysë tejet të madhe, pasi i biri 15 vjeçar ka zgjedhur rrugën e të atit, duke korur fitoret e para.
Por Qato thotë se janë shumë të rinj dhe të reja që ai stërvit çdo ditë, madje edhe të shtunë dhe të diel e marrin si trajner personal. “Në fillim e kisha të vështirë, pasi isha ushtruar për të dueluar vetë, ndërsa tani është ndryshe, sepse më duhet të stërvis të tjerët.
Vështirësia ime është se jo të gjithë janë profesionistë dhe jo të gjithë ndeshen, një pjesë e bëjnë për pasion, për t’u marrë me boks dhe për t’u ndjerë mirë. Gjithsesi, punojmë me grupe dhe deri tani e kemi përballuar” – shprehet në fillim Kreshniku.
Qato ka zhvilluar në total 39 ndeshje, ku 30 i ka fituar dhe 9 i ka humbur. Ndeshjet e zhvilluara në Shqipëri nuk do t’i harrojë kurrë: “Tjetër gjë është të të mbështesin 50-100 vetë në Angli dhe krejt tjetër të jenë mijëra vetë, me flamuj shqiptarë.
Akoma më buçasin veshët nga thirrjet e publikut, i kujtoj me shumë emocione. Natyrisht, dua të falënderoj pa masë Ylli Ndroqin, pa të cilin nuk do të ishte mundësuar asnjë ndeshje në Shqipëri.”
“Konica.al” ishte e drejtpërdrejtë me një pyetje ndaj Qatos: Përse nuk ka ndërtuar një palestër në Durrës apo Tiranë dhe të stërvisë djem e vajza për t’i shpallur një ditë kampion? Ja si përgjigjet boksieri:
“Në Shqipëri është shumë e vështirë. I njëjti investim duhet si në Londër, ashtu edhe në Shqipëri për një palestër moderne boksi. Por numri i dashamirësve të boksit në Londër është 20 fish më i lartë, shto dhe faktin që tarifat për amatorët janë shumë më shumë dhe atje nuk mendon për të shlyer qera, kredi, etj.
Por nuk janë këto faktorët kryesorë, sepse me dëshirë do ta ndërtoja një palestër, fundja të ishte dhuratë për dashamirët e boksit në qytetin tim të lindjes. Por a ka të interesuar për boksin? Nuk them që nuk ka, por mbetet në nivele të ulëta.
Po të vini re, boksierët shqiptarë të njohur dhe të suksesshëm stërviten jashtë, ndeshen në Europë. Nuk po them që gjithçka është keq, Shqipëria nuk ka traditë në boks, më shumë ka pasur në vitet ’60 sesa 25 vitet e fundit.
Dhe arsyeja e fundit pse nuk vij në Shqipëri, është im bir. Atje ka shumë mundësi që nesër të bëhet dikushi në boks, në Shqipëri edhe ndeshjet për sparing mungojnë.”
Në fund, kampioni i boksit Kreshnik Qato, ekskluzivisht për “Konica.al”, lëshon një apel për të gjithë boksierët shqiptarë: “E rëndësishme është të dashurohesh me boksin dhe mos ta braktisësh kurrë.
Nëse dikush lodhet dhe sakrifikon për diçka, ky mund nuk do të shkojë kurrë dëm. E krahasoj me veten time, kur kam qenë vetë amator, thoja do Zoti bëhem profesionist dhe fati e deshi të bëhem i tillë. Pastaj, kur u bëra profesionist, thashë do Zoti marr një rrip, por mora 7 të tillë.
Lodhja e tepërt asnjëherë nuk të shkon kot dhe kurrë mos u dorëzoni. Në Shqipëri ka shumë talente, ka shumë boksierë të rinjt të talentuar dhe u them këtyre të rinjve që kurrë mos u dorëzoni, pavarësisht se nuk mund ta kapin ëndrrën me të parën. Është një diçka që do të vijë nëse nuk dorëzoheni.”