MENU
klinika

Analiza

Si Rusia dhe Kina prishën ëndrrën europiane të Serbisë

24.02.2024 - 13:19

“E di që BE-ja është rruga jonë, nuk ka tjetër”. Kështu deklaroi presidenti serb Aleksandër Vuçiç për Bloomberg në janar 2023 për të ardhmen e vendit të tij dhe integrimin evropian. Megjithatë, siç shkruan “Forbes Italia”, më shumë se një vit më vonë, Vuçiç nuk e ka afruar aspak Beogradin me Brukselin. Madje ka bërë të kundërtën. Dëshmi e kësaj është reagimi i vakët i të gjithë liderëve evropianë, me përjashtim të Viktor Orban, ndaj rizgjedhjes së tij në dhjetor, e karakterizuar, sipas opozitës dhe komisionerëve të OSBE-së të pranishëm në vend, nga parregullsi, mashtrime dhe dhunë ndaj votuesve nga partia e shumicës.

Lidhjet me Rusinë dhe Kinën

Afërsia historike me Rusinë është një tjetër çështje përçarëse me Brukselin. Siç kujton “Forbes Italia”, Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në udhëtimin e saj të fundit në Ballkan u shpreh: “Ne duam që ju të ndërmerrni hapat e ardhshëm për t’u afruar me ne edhe në politikën e jashtme”. Referenca për afërsinë me Putinin nuk është e rastësishme. Serbia është i vetmi vend evropian që nuk i është bashkuar sanksioneve ekonomike kundër Moskës. Lidhjet e ngushta me Kinën janë gjithashtu një shqetësim. Marrëveshja tregtare e nënshkruar në tetor 2023 me Pekinin shkel rregullat për anëtarësimin në BE. Vitet e fundit, Kina ka financuar një sërë infrastrukturash strategjike për lidhjen e Serbisë me Pireun dhe Adriatikun përmes Bankës Exim (Eksport-Import) të Kinës. Për Beogradin, Pekini është një aleat i domosdoshëm në forumet ndërkombëtare për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të tij mbi Kosovën, si dhe është bërë furnizues i pajisjeve ushtarake. AleksandërVuçiç, pra, nga njëra anë nuk dëshiron të heqë dorë nga lidhja historike me Rusinë dhe Kinën, nga ana tjetër dëshiron të vazhdojë procesin e integrimit evropian, sepse Serbia nuk mund të bëjë pa Brukselin.

Tensionet me Kosovën

Siç shkruan “Forbes Italia”, pengesa kryesore për anëtarësimin e Beogradit në BE është çështja e Kosovës. Brukseli dhe Uashingtoni e vënë normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën si kusht për integrimin. Një pikë themelore ishte krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Pjesa veriore e Kosovës, në fakt, është e banuar kryesisht nga serbe. Prishtina nuk dëshiron të heqë dorë nga ai territor. Në fund të majit tensioni rezultoi në përleshje të dhunshme të cilat çuan në plagosjen e 41 ushtarëve, duke përfshirë 14 italianë, të kontingjentit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it. Në shtator, një grup paraushtarakësh serbë kosovarë sulmuan policinë, ku një polic kosovar dhe tre paraushtarakë serbë mbetën të vdekur. Prishtina e përkufizoi episodin si një akt terrorizmi të komplotuar nga qeveria e Beogradit, ndërsa Vuçiç u përgjigj duke dënuar vrasjet e pajustifikuara të “patriotëve serbë” dhe vendosjen e ushtrisë në kufi.

Skenari i luftës

Tensioni mbetet shumë i lartë. Vuçiç ka deklaruar, madje së fundmi, para von der Leyen, se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, duke rrezikuar kështu ngrirjen e procesit të anëtarësimit në BE.Megjithatë, shkruan “Forbes Italia”, BE dhe SHBA-ja nuk mund të përballojnë, pas Ukrainës, një luftë tjetër në zemër të Evropës. Vetë Italia duhet të parandalojë me çdo kusht shpërthimin e tensionit në Kosovë. Para së gjithash për afërsinë me vendin, por edhe për marrëdhëniet e lulëzuara tregtare me vendet e Ballkanit, pasi Italia është partneri i dytë tregtar i Serbisë në BE, pas Gjermanisë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, edhe për shkak të pranisë së rreth 850 ushtarëve italianë në territorin kosovar. Kina është gjithashtu e shqetësuar për një destabilizim të zonës, sepse interesat e saj tregtare mund të rrezikohen. Putin do të ishte i vetmi që do të përfitonte në rast të një përshkallëzimi mes Serbisë dhe Kosovës, i cili do të largonte vëmendjen dhe burimet perëndimore nga konflikti ukrainas. Më shumë se një shekull pas vrasjes së arkidukës Franz Ferdinand të Habsburgut në Sarajevë, e cila shkaktoi Luftën e Parë Botërore, Ballkani kthehet në qendër të tabelës evropiane dhe botërore të shahut.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!