Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka zbardhur detaje nga takimi në Konferencën e Sigurisë së Munihut me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me tensionet mes dy vendeve.
Borrell shprehet se bisedimet që ka zhvilluar me dy liderët e Kosovës dhe Serbisë “fatkeqësisht kanë qenë të pasuksesshme”.
Përveç Kurtit e Vuçiqit, Borrell thekson se ka pasur një numër të madh takimesh dypalëshe me partnerë të BE-së nga e gjithë bota.
“Me presidentin serb Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, kam diskutuar, në takime të ndara, se si të deeskalojmë tensionet mes dy vendeve, fatkeqësisht pa sukses”, shprehet ai.
Ndër të tjera Borrell ka theksuar se në Munih ai prezantoi katër qëllimet kryesore të agjendës gjeopolitike të BE-së: mbështetje më të madhe dhe më të shpejtë për Ukrainën, përfundimin e katastrofës humanitare në Rripin e Gazës, përmirësimin e marrëdhënieve të BE-së me “jugun global” dhe forcimin dhe sigurinë e Unionit.
Borrell thekson se atmosfera në konferencën e sivjetme në Mynih ishte e veçantë sepse, siç tha ai, të gjithë u ndërgjegjësuan se Evropa është në rrezik për shkak të dy luftëra në afërsi dhe shumë konflikte të mundshme në mbarë botën.
“Të gjithë u ndërgjegjësuan për realitetin në Konferencën e Sigurisë të Munihut të këtij viti se Evropa është në rrezik për shkak të dy luftërave në afërsi dhe shumë konflikteve të mundshme në mbarë botën”, ka theksuar ndër të tjera Borrell.