Kosova dhe Serbia janë ballafaquar dje në Bruksel për çështjen e dinarit.Pas takimeve të zhvilluara, me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se nevojiten takime të tjera.
Sipas tij ende shumë pikëpyetje mbi këtë çështje nuk kanë marrë përgjigje. Lajçak tha gjithashtu se mirëpret angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës. “Takimi i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pikëpyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkroi ai në një reagim në rrjete sociale.
Ekipi i Serbisë udhëhiqej nga kryenegociatori Petar Petkoviç ndërsa nga Kosova mori pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili. Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim pasi sipas tij “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”. Banka Qendrore e Kosovës tha përmes një komunikate se në takimin me të dërguarin evropian Lajçak, “autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK dhe rregullimi i vendosur nuk u vu në diskutim apo kontestua nga Bashkimi Evropian, por janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb.
Në komunikatë thuhet se gjatë takimit me një delegacion të ministrisë se Financave të Serbisë, janë diskutuar “mundësitë e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”.Takimi ndodhi në njëvjetorin e arritjes së marrëveshjes së Brukselit.