Në projektin “Durrës Yacht & Marina” vijon shitja në ajër e apartamenteve para marrjes së lejes së ndërtimit.
Nga “Durrës Yacht & Marina” është njoftuar hapja tjetër e shitjeve më 8 Mars përmes prenotimeve për apartamentet në rezidencën “ParkView”. Konkretisht bëhet fjalë për godinën e 7 të projektit e pozicionuar në rreshtin e dytë të ndërtimeve. Në brendësi të rezidencës parashikohen të ndërtohen 233 apartamente me 1, 2 ose 3 dhoma gjumi.
Monitor u interesua pranë zyrës së shitjes nga ku u tha se çmimi minimal i shitjes për metër katror nis nga 1,900 euro deri në vlerat maksimale prej 2,600 euro për metër katror, të përcaktuara në varësi të katit të apartamentit dhe pozicionimit të tij me pamje nga deti dhe pishina.
Për tipologjinë e apartamentit në rezidencën “ParkView” me sipërfaqe 58 m2 vlera e shitjes niste nga 110 mijë euro deri në 150 mijë euro.
Edhe pse pronat në projektin e ri “Durrës Yacht & Marina” që pritet të zhvillohet po shiten në ajër, pa nisur punimet, kjo nuk ka penguar investitorët të rrisin çmimet e apartamenteve krahasuar me apartamentet e godinave të tjera apo me ato të publikuara nga planet e biznesit.
Për shitjet e hapura më 16 Qershor 2023 për godinat me vendndodhje 20 metra larg nga deti çmimi minimal i shitjes sipas komunikimeve të mëparshme me zyrën e shitjes niste nga 1,715 euro për metër katror.
Çmimi minimal i shitjes së apartamenteve brenda 8 muajsh është rritur rreth 11%.
Ndërsa çmimi maksimal i shitjes në muajin Qershor për godinën e pozicionuar në rresht të parë arritën deri në 2,600 euro për metër katror.
Çmimet aktuale të shitjes së apartamenteve krahasuar me godinat e para janë rritur 15%. Në fillim në to çmimet nisnin nga 1,650 euro për metër katror.
Shitja vijon me skemën e pagesës së prenotimit prej 1,200 euro dhe shlyerjen e totalit të vlerës së blerjes së apartamentit nëpërmjet 7 kësteve. Tarifa e paguar për prenotim nuk kthehet, por blerësit i llogaritet në këstin e fundit të pagesës.
3 prej këtyre kësteve apo 40% e vlerës së apartamentit do të paguhet para marrjes së lejes së ndërtimit e ndarë në 20% e çmimit të blerjes që paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes; 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 muaj nga data e lejes së ndërtimit dhe 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit.
Nëse për një apartament në rezidencën “ParkView” me sipërfaqe 58 m2 që kushton 110 mijë euro prenotuesi për blerje duhet të paguajë 44 mijë euro për totalin e çmimit të blerjes së pronës para marrjes së lejes së ndërtimit të objektit. Në rastin e godinës së shtatë për të cilën shitjet nisin ditën e premte, sipas zyrës së shitjes leja e ndërtimit pritet të merret brenda 1 viti.
Projekti ka marrë statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkë- aksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore. Si investitorë kompania ka përfituar lehtësi të shumta si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës në ndërtim (4% e vlerës së shitjes dhe taksa e strehimit prej 3%).
Gjithsej, parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve (4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë), ndërsa do të këtë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Parashikohen vetëm 280 vende për jahte. 93% e sipërfaqes së ndërtimit të parashikuar do të jetë rezidenciale dhe nga 3.5% përkatësisht do të jenë hotele dhe sipërfaqe tregtare.
Plani i Shlyerjes së Vlerës së Pronës
– 20% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paraprake të Shitjes (siç përcaktohet në pikën 3.4);
– 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e lejes së ndërtimit;
– 10% e çmimit të blerjes të paguhet jo më vonë se 6 muaj nga data e lejes së ndërtimit;
– 15% e çmimit të blerjes të paguhet me ose përpara përfundimit të strukturës;
– 20% e çmimit të blerjes të paguhet me ose përpara përfundimit të vendosjes së xhamave;
– 20% e çmimit të blerjes të paguhet me ose përpara përfundimit të fasadës;
– 5% e çmimit të blerjes të paguhet brenda 5 ditëve nga data e nënshkrimit të Kontratës së Shitjes për transferimin e titullit të pronësisë së Pronës. /Monitor