Që nga fillimi i luftës në Ukrainë dy vjet më parë, shumëkujt mund t’i jetë dukur se ekonomia ruse ishte e fortë, por rezulton se një numër në rritje i kompanive në atë vend janë në telashe serioze.
Siç raportohet nga Business Insider, numri i kompanive në Rusi që falimentuan u rrit ndjeshëm në dy muajt e parë të vitit 2024, njoftoi e përditshmja ruse e biznesit Kommersant.
Në janar, 571 kompani ruse deklaruan falimentim, një rritje prej 57% krahasuar me 364 kompanitë që falimentuan vitin e kaluar, tha Kommersant, duke cituar të dhëna nga regjistri i falimentimit.
Në shkurt, 771 kompani deklaruan falimentim që është 60% më shumë se 478 që deklaruan një vit më parë. “Ky është vetëm një kthim në nivelet para pandemisë”, tha Ilja Torosov, zëvendësministri i parë i ekonomisë ruse.
Ekonomia ruse e kohës së luftës është e qëndrueshme falë shpenzimeve qeveritare, por normat e larta të interesit e kërcënojnë atë në mënyrë të rrezikshme. Banka e Rusisë rriti normat e interesit deri në 16% për të “ftohur” ekonominë dhe për të zbutur inflacionin.
Por mund të jetë më keq. Regjimi i Vladimir Putin është nën kufizime të rrepta tregtare perëndimore dhe sanksione dytësore janë vendosur gjithashtu ndaj kompanive që bëjnë biznes me atë vend.
Dhe në prag të zgjedhjeve presidenciale, të cilat zhvillohen nga 15 deri më 17 mars, presidenti rus premtoi t’u japë rusëve miliarda dollarë për të përmirësuar stilin e tyre të jetesës.
Nuk është plotësisht e qartë se nga do të vijnë paratë për të përmbushur këto premtime, por Putini ka propozuar ndryshime në sistemin e taksave, pra duke kërkuar taksa më të larta nga individët dhe kompanitë me të ardhura të larta.