Situata nuk duket shumë shpresdhënëse për Ukrainën aktualisht në fushën e betejës. Megjithatë, ka një “dritë në fund të tunelit” për të, që vjen ga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lidhet me një kërkesë por edhe dëshirë prej shumë kohësh të Ukrainës. Pilotët ukrainas ndoshta do të fluturojnë me avionët luftarakë F-16 të dëshiruar prej kohësh nga korriku, ka mësuar “The New York Times”. Dymbëdhjetë pilotë pritet të jenë gati për të fluturuar me F-16 këtë verë, pas përfundimit të trajnimit në Danimarkë, MB dhe SHBA. Por në kohën kur pilotët të kthehen në Ukrainë, vetëm gjashtë nga 45 aeroplanët e premtuar Kievit nga aleatët evropianë do të jenë dorëzuar. Trajnimi i pilotëve ukrainas filloi gushtin e kaluar në bazën ajrore Skrydstrup në Danimarkën jugore, por trajnimi përparoi ngadalë sepse pilotët nuk dinin mjaftueshëm gjuhën angleze dhe teknikat perëndimore të fluturimit. Ata ishin gati për të fluturuar vetëm në janar. Ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen tha për NYT se trajnimi po përparon mirë dhe se pilotët ukrainas tashmë po fluturojnë mbi hapësirën ajrore daneze.
Kërkesa e Kievit
Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Putini, Kievi u ka kërkuar partnerëve të tij avionë luftarakë. Administrata e presidentit amerikan Joe Biden iu dorëzua kërkesave të Ukrainës vetëm vitin e kaluar në gusht. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se avionët F-16 nuk do të jenë faktor vendimtar në luftë dhe kanë theksuar se trajnimi do të zgjasë shumë. Zyrtarët ukrainas kanë rënë dakord që F-16 vetëm nuk do të ndryshojnë rrjedhën e betejës, por besojnë se kur kombinohen me raketa me rreze të gjatë, artileri dhe drone, ato mund të jenë kyçe në luftën kundër Rusisë. Në korrik, një koalicion ndërkombëtar i vendeve u krijua për të dorëzuar F-16 dhe për të trajnuar pilotët ukrainas. Por ka shumë pasiguri se kur çdo vend do të dërgojë avionët e tij, sa shpejt mund të trajnohen pilotët dhe nëse ka njerëz të mjaftueshëm për të mirëmbajtur siç duhet avionët. Danimarka, Holanda, Norvegjia dhe Belgjika janë zotuar të dërgojnë rreth 45 avionë në Ukrainë, që mjaftojnë për tre skuadrilje të vogla. Danimarka do të dërgojë gjashtë avionët e parë deri në verë, dhe 13 të tjerë duhet të mbërrijnë në fund të këtij viti ose gjatë vitit të ardhshëm. Vendet e tjera nuk kanë caktuar ende një datë të dorëzimit të F-16-ve të tyre. Ministria holandeze e mbrojtjes, e cila ka premtuar të dorëzojë 24 avionë luftarakë, ka thënë se do t’i mbajë ato derisa Ukraina të jetë gati t’i pranojë.
Sfidat
Ekziston gjithashtu nevoja për personel për mirëmbajtjen e avionëve luftarakë. Aktualisht, rreth 50 teknikë ukrainas po trajnohen në Danimarkë për mirëmbajtjen dhe riparimin e avionëve, si dhe për punën me sistemet e armëve. F-16-të janë aq kompleks saqë duhen tetë deri në 14 persona për të mirëmbajtur një avion. Kontraktorët perëndimorë të mbrojtjes duhet të shoqërojnë avionin për në Ukrainë dhe të qëndrojnë në vend derisa personeli i mjaftueshëm ukrainas të trajnohet për mirëmbajtjen e avionit, një proces që mund të zgjasë me vite. Përveç kësaj, nevoja për të riparuar pistat ushtarake të vjetra dhe të dëmtuara nga lufta në Ukrainë mund të vonojë gjithashtu futjen e F-16 në luftime. Nuk është ende e qartë se kur saktësisht grupi tjetër i pilotëve ukrainas duhet të fillojë stërvitjen në qendrën e sapohapur të trajnimit në Bazën Ajrore Fete?ti në Rumaninë jugore. “Kjo varet nga qeveritë dhe kontratat. Ne jemi ende duke pritur për të gjitha miratimet,” tha koloneli Bill Thomas, një oficer në pension i Forcave Ajrore të SHBA që mbikëqyr programin e trajnimit për pilotët rumunë në bazën Fete?ti. Krijimi i qendrës në bazën Fete?ti u njoftua korrikun e kaluar në samitin e NATO-s dhe në nëntor instruktorët filluan trajnimin e pilotëve rumunë për skuadron e re F-16 të vendit. Ashtu si pilotët ukrainas, pilotët rumunë në trajnimin F-16 janë të aftë në fluturimin e avionëve të epokës sovjetike, por ndryshe nga ukrainasit, pilotët rumunë tashmë flisnin anglisht dhe ishin të njohur me standardet operacionale të NATO-s.