Pas Butrintit, edhe kampi-burg i Spaçit propozohet të menaxhohet me një fondacion hibrid, i cili bashkon shtetin dhe një fondacion privat që merret me trashëgiminë kulturore. Ministria Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka nxjerrë për konsultim publik një draft të Planit të Menaxhimit të ish-burgut të Spaçit, ku thuhet se modeli i menaxhimit që përshtatet më mirë në aspektin e qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit është ai i një fondacioni të krijuar nga një institucion i specializuar për trashëgiminë kulturore, që mund të jetë fondacioni për kujtesën e rezistencës në Spaç.
Në draft vërehet se organi themelues do të jetë vetë Ministria e Kulturës. Menaxhimi i pasurisë kulturore do t’i transferohet më pas, fondacionit të krijuar për këtë qëllim, i cili do të administrojë, ruajë, mbrojë pasurinë, rregullojë aksesin dhe shërbimet për publikun dhe promovojë pasuritë kulturore dhe veprimtaritë studimore dhe kërkimore sipas ligjit. Sipas draftit, pronësia e pasurisë kulturore – monument kulture e Kategorisë II, që aktualisht ndahet mes disa institucioneve, duhet t’i kalojë Ministrisë së Kulturës, si institucioni publik më i aftë për të përmbushur pritshmërinë e menaxhimit aktiv të Spaçit.
Fondacioni përgjegjës për menaxhimin indirekt të Spaçit do të ndërmarrë gjithashtu procedurat e nevojshme për ngritjen e Muzeut të Burgut dhe Kampit të Punës së Detyrueshme, një muze autonom i specializuar me person juridik privat dedikuar rezistencës ndaj diktaturës komuniste. Muzeu, do të ndërtohet në Reps, qytezën më të afërt nga Spaçi në një hapësirë prej 750 m2.
Organet drejtuese të Fondacionit do të jenë: bordi i administrimit me përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, të institucionit themelues të specializuar të trashëgimisë kulturore, të Bashkisë Mirditë dhe nga donatorë ose sponsorë, si edhe bordi i nderit me ishtë burgosur politikë dhe bordi shkencor me përfaqësues nga institucionet dhe organizatat e kujtesës që kanë promovuar aktivitete rreth Spaçit ndër vite. Financimi i fondacionit do të sigurohet nga mbështetja nga buxheti publik, si dhe nga fonde të tjera kombëtare apo ndërkombëtare, publike apo private.
Në draft parashikohet ruajtja e ndërtesave të ishburgut në gjendjen aktuale, duke ndalur përkeqësimin e tyre, por duke i ruajtur ato në mënyrë të tillë që shenjat e kalimit të kohës mbi ndërtesa të shihen si metaforë për një distancim nga kujtesa e vendit. Drafti propozon rindërtimin e pjesshëm të disa prej elementeve kyç, rikrijimin e njërës prej qelive, rikuperimin e shtigjeve dhe hyrjeve në tunelin e minierave, krijimi i një sinjalistike, përdorimi i teknologjisë për të shfaqur pjesët e munguara. Sipas draftit, nisur nga planifikimi i biznesit, siti nuk do të jetë fitimprurës financiarisht, ndërsa kosto e projektit i kalon 4.2 milionë euro.
Fokusi i muzeut do të jenë përpjekjet dhe historitë e rezistencës që kanë ndodhur në Spaç, që nga episodi themelor i revoltës së Spaçit në 1973, deri te aktet dhe gjestet e shumta të përditshme të rezistencës kundër humbjes së njerëzimit, dinjitetit dhe solidariteti që iu imponua të burgosurve. Të 9 ndërtesat ekzistuese, që duken të plota në vëllim, kanë nivele të ndryshme dëmtimi për sa i përket strukturës. Në momentin e hapjes, Reparti i Riedukimit 303 i Spaç-Mirditës priste vetëm të burgosur politikë, numri i të dënuarve luhatej ndër vite dhe deri në fillim të viteve 1980 varionte nga 900 deri në 1200 të dënuar.