MENU
klinika

Pezullimi i shitjes së avionëve Raffale

Pse Franca e “la në baltë” Serbinë?

16.04.2024 - 10:14

Ideja e blerjes së avionëve luftarakë francezë Raffale, entuziazmoi menjëherë Serbinë dhe presidenti serb nuk ka ngurruar ta shprehë “krenarinë” publikisht. “Serbia është shumë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale”, njoftoi rreth një javë më parë presidenti serb, në atë që do të shënonte një ndryshim nga furnizuesi i saj tradicional ushtarak Rusia. Madje, ai e konsideroi fakt të kryer marrëveshjen, pas vizitës në Paris. “Ne përfunduam, një marrëveshje konkrete për blerjen e Rafale. Pres që kontrata të nënshkruhet në dy muajt e ardhshëm, në prani të presidentit francez, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë”, tha Vuçiç nga Parisi. Megjithatë, lumturia ka zgjatur fare pak, pasi Franca duket spektike për të përfunduar shitjen. Nuk dihet ekzaktësisht se nga çfarë është ndikuar Parisi, megjithatë, Beogradi po pëson “zhgënjime” të njëpasnjëshme.

Pezullimi i shitjes

Franca synon të marrë konfirmimin e zhvillimeve politike në Serbi përpara përfundimit të shitjes, e cila mund të sjellë tre miliardë euro për qeverinë e Macron, raporton TV francez BFM. “A do të ketë Serbia së shpejti avion Rafale? Kështu pohon presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili vizitoi Parisin javën e kaluar. Lideri serb po armatos vendin e tij, duke blerë armë nga Evropa, Kina dhe Rusia, ku buxheti ushtarak është trefishuar në dhjetë vjet”, raporton BFM. Dassault Aviation aktualisht refuzon të flasë për shitjen e mundshme të avionëve në Serbi. Kontrata, e cila do të përfshinte një duzinë avionësh, mund t’i sjellë Francës tre miliardë euro, por para kësaj qeveria dëshiron të informohet për ngjarjet politike në Serbi. “Serbia ndan 2 për qind të PBB-së për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Investimet kanë ardhur vazhdimisht në rritje vitet e fundit. Ndërmjet viteve 2012 dhe 2023, buxheti ushtarak i Serbisë u trefishua dhe arriti shifrën prej 1.4 miliardë euro. Më shumë se buxheti i pesë vendeve të tjera të Ballkanit së bashku”, raporton BMF franceze. Ndërmjet viteve 2014 dhe 2023, Serbia shpenzoi 2.67 miliardë euro për blerjen e armëve – kryesisht për blerjen e sistemit kundërajror kinez FK-3, helikopterëve rusë Mi-17 dhe Mi-35 si dhe sistemin rus të mbrojtjes Pancir.

Lidhjet me Rusinë dhe Kinën

Historia e Rafales, megjithatë, është shumë më komplekse. Lidhja e liderit serb me Vladimir Putinin është problem për Parisin. Edhe pse Serbia e dënoi agresionin rus në Ukrainë, ajo nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, duke ndjekur shembullin e vendeve perëndimore. Në fund të marsit, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, vizitoi Moskën, e cila, sipas diplomacisë serbe, ishte një mundësi për të përmirësuar “marrëdhëniet miqësore midis Serbisë dhe Rusisë”. Para së gjithash, prokurimi i armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia dhe Kina nuk është ndërprerë pavarësisht luftës në Ukrainë dhe agresionit rus në vitin 2022. “Do të ishte e pakuptimtë që Parisi, nga njëra anë, të përmendte dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe nga ana tjetër t’i shesë armë jashtëzakonisht të sofistikuara njërit prej aleatëve më të afërt të Rusisë”, raportojnë mediat franceze deklaratën e politologut Jasmin Mujanoviç. “Shitja e Rafale tek aleati i Moskës do të ishte shqetësuese sepse do të lejonte rrjedhjen e informacionit në Kinë dhe Rusi,” beson ai.

Ndikimi i Kosovës

Siç thuhet në Librin e Bardhë të Mbrojtjes Serbe, botuar në vitin 2023, “sfida më e madhe e sigurisë” për Beogradin është në anën tjetër të kufirit me Kosovën. Ndër kushtet, presidenti francez ka theksuar nevojën për zbutjen e tensioneve në marrëdhëniet me Kosovën, shkruan BMF. Megjithatë, nëse Rafale shitet, “avionët luftarakë francezë mund të përdoren për të frikësuar Kosovën”, paralajmëron Jasmin Mujanoviç. Kujtojmë se në takimin me Vuçiç në Pallatin Elysee Macron ka deklaruar se është e rëndësishme që pjesëmarrësit e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës të dalin para drejtësisë. Ai tha se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është premtim dhe peng për stabilitetin e rajonit dhe kontinentit tonë”.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!