MENU
klinika

"Problem shpejtësia tej normave"

Eksperti rrugor: Të rinjtë shkaktojnë më shumë aksidente

01.05.2024 - 14:41

Në muajin mars, sipas INSTAT numri i aksidenteve u rrit krahasuar me marsin e vitit 2023. Në muajin mars u regjistruan 107 aksidente rrugore, ndërsa numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 147 persona.

Eksperti rrugor, Fadil Likaj thotë për Report Tv se të rinjtë janë grupmosha që përfshihen më shumë në aksidente. Ndërkohë, shpejtësia dhe mosdhënia e përparësisë janë shkeljet më të shpeshta nga drejtuesit e mjeteve.

“Numrin më të madh të aksidenteve e zënë gruposhat e reja. Shkeljet që prevalojnë më shumë, janë shpejtësia mbi normat e lejuara, mosdhënia e përparësisë në zonat urbane dhe ndërprerja e rrugës në mënyrë të menjëhershme”, tha Likaj.

Sipas ekspertit, problematika ka edhe me infrastrukturën, ku parametrat në akse të caktuara nuk janë në raport të drejtë me numrin e mjeteve që qarkullojnë

“Infrastruktura është projektuar dhe implemetuar 20 vjet më parë, nuk dihej që do kishte një rritje të mjeteve në Shqipëri. Kemi një rritje të numrit të mjeteve dhe kjo e bën të vështirësohet puna për policinë e shtetit dhe çdo organ shtetëror. Rrugët janë lënë për tu dëshiruar. Parametrat nuk janë në raport të drejtë me numrin e mjeteve që qarkullojnë, psh Fushë-Krujë Laç”, tha eksperti.

Likaj thekson se duhet hartuar një plan masash me qëllim uljen e numrit të aksidenteve, ndërsa shton se ndëshkimi me gjoba jo detyrimisht ndikon në uljen e aksidenteve.

“Policia rrugore duhet të nxjerrë një plan masash duke u bazuar në kërkime shkencore dhe rezultatet e aksidenteve. Policia rrugore vetëm 10% ndikon në parametrat e sigurisë rrugore, me atë çfarë ka ajo në dorë vendos masa administrative. Gjoba është një mekanizëm por nuk është faktor dertemininat për të ulur numrin e aksidenteve”, theksoi eksperti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN