MENU
klinika

Ka projekte edhe në Serbi dhe Bjellorusi

Sheiku arab Alabbar rrit çmimet e ndërtimit në Durrës

19.07.2024 - 10:57

Sheiku Mohamed Alabbar, themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR, i cili njihet edhe si mik i kryeministrit Edi Rama, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe atij bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për shkak se ka tentuar projekte të tilla si në Shqipëri, edhe në Bjellorusi dhe Serbi, vijon të shesë ajrin pa leje ndërtimi dhe pa pronësi objektesh. E themi këtë pasi ritmet e punimeve në kantierin e ndërtimit të “Durrës Yacht Marina” nuk duken aq intensive, por kjo nuk e ndalon kompaninë të vijojë të shesë rezidencat e reja, që ende nuk kanë nisur të ndërtohen sot. Në zyrën e shitjeve në Tiranë është zhvilluar procedura e radhës për shitjen e apartamenteve të rezidencës Parkpoint, çmimet e së cilës nisin nga 116 mijë euro. Sipas vendndodhjes dhe pozicionit, çmimi për metër katror varion nga 2000 deri në 3000 euro.

Çmimet

Çmimet e shitjeve për ndërtesat në projektin e Durrës Yacht Marina kanë shënuar rritje progresive, që nga data 8 dhjetor 2022, kur u shitën apartamentet e dy rezidencave të para. 110 apartamentet e para u shitën me një çmim 1700-1800 euro metri katror. Për të filmuar brenda kantierit të ndërtimit, përgjigja zyrtare nënvizon: “Për shkak të numrit të lartë të kërkesave për të vizituar kantierin, ndikimit të këtij procesi në kompromentimin e afateve kohore të projektit, si edhe për arsye sigurie, ne nuk mund të lejojmë vizitat në kantierin e ndërtimit. Ju mund të përditësoheni me zhvillimet në kantier përmes postimeve mujore në rrjetet tona sociale”.

Punimet në kantier nisën në shtator të vitit të kaluar me ndërtimin e dy godinave të para shumëkatëshe, pjesë e projektit 2 miliardë euro të biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara Arabe Mohamed Alabbar. Në projektin final parashikohet ndërtimi i gati 13 mijë apartamenteve, 4 mijë në fazën e parë dhe rreth 8,600 në fazën e dytë, ndërsa do të ketë vetëm pak hotele me më shumë se 850 dhoma. Në portin e jahteve parashikohet të akomodohen vetëm 280 mjete lundruese luksoze. Territori ku aktualisht është shtrirë projekti “Durrës Yacht Marina” ishte deri më 29 korrik të vitit të kaluar pjesë e koncesionit 35-vjeçar, që kompania gjermane EMS ka lidhur me shtetin shqiptar. Projekti Durrës Yacht & Marina ka marrë statusin investitor strategjik, pasi shteti shqiptar u bë bashkë-aksioner. Në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore të portit të Durrësit.

Alabbar projekte edhe në Serbi dhe Bjellorusi

Ndërkohë kujtojmë se Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko janë të lidhur shumë ngushtë me Mohamed Alabbar. Në takimet e tij me liderët e këtyre vendeve ka premtuar ndryshime radikale në projektet që ka marrë përsipër të ndërtojë, ku flitet për shuma marramendëse dhe në pika strategjike për secilin vend. Por, se çfarë fshihet pas këtyre investimeve në Shqipëri, Serbi apo Bjellorusi, ende nuk është zbuluar, por nga projekti i dështuar në Serbi nga arabët, fundi mund të parashikohet shumë lehtë edhe për vendin tonë.

Si dështoi sheiku arab në Serbi?

Kjo kompani arabe tha se do të investonte 4 miliardë dollarë në ndërtimin e një lagjeje për të pasurit, buzë Danubit nën emërtimin “Belgrade Ëaterfront” dhe me të njëjtat deklarata si për Portin e Durrësit. Në bregun e lumit Sava në Beograd, arabët premtuan për shndërrimin e një zone të re në qendër të qytetit të mbushur me kulla, hotele me pesë yje dhe apartamente luksoze. “Një vështrim në ‘shakanë e keqe’ të Abu Dhabit: Projekti Ujor i Beogradit”, e titullon shkrimin “Forbes” në investigimin e saj në vitin 2016, i cili nxjerr në pah mashtrimin e madh të arabëve. Njësoj si me Portin e Durrësit, edhe në Serbi janë mbajtur sekret shumë detaje nga projekti. “Forbes” pretendon se nga ana e saj kompania Emaar, nuk investoi asnjëherë shumën e premtuar.

Simetria me Shqipërinë

Rasti i Serbisë është i ngjashëm me Shqipërinë. Kompania arabe ka thënë se do të investojë dy miliardë euro në Portin e Durrësit. Pra, e njëjta kompani, të njëjtat marrëveshje dhe hije dyshimi që rrethojnë gjithë situatën. Si në Beograd dhe Shqipëri janë përjashtuar nga prokurimi publik të gjitha kompanitë e tjera, të cilat mund të jepnin oferta edhe më të mira. Domethënë, kjo i jep qeverisë të drejtën të bëjë pazare me kompanitë nga Emiratet e Bashkuara pa asnjë kontroll dhe pa asnjë përgjegjësi ligjore, ndërkohë që asaj i falen 812 600.98 m2 tokë ose 81 hektarë, nga të cilat 54 mijë m2 , kompania i shfrytëzon për ndërtim, ndonëse ajo është tokë shtetërore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Monaco duhet të na e ketë frikën”

Alabbar: Porti i ri i Durrësit nis në fillim të prillit