MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si të shmangim dhimbjen e shpinës në zyrë?

22.10.2024 - 17:20

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si të shmangim dhimbjen e shpinës në zyrë?

Mjeku: Janë të paktë njerëzit që në ditët e sotme nuk mund të bëjnë dot pa punuar në kompjuter gjithë ditën ose të paktën për një pjesë të saj. Një sistemim i mirë i vendqëndrimit në punë dhe ndonjë këshillë e vogël do t’ju lejojnë të jetoni në simfoni perfekte me mikun tuaj më të besuar të zyrës: kompjuterin. Ja disa pozicione të duhura, të cilat duhet t’i lexoni me vëmendje për t’u thënë më në fund ”mjaft” problemeve të dhembjeve në shpinë!

Pozicionojeni kompjuterin në mënyrën e duhur: Para së gjithash, është e rëndësishme ta instaloni kompjuterin në mënyrën e duhur. Kjo do të minimizojë problemet e lodhjes së syve. Ideale do të ishte që ekranin ta zhvendosnit mbrapa, duke e pozicionuar në një distancë 50 ose 70 centimetra.

Zgjidhni ekranin e përshtatshëm: Zgjidhni një ekran të mirë, antirefleks dhe mos harroni të rregulloni dritën e tij në bazë të punës që duhet të bëni (videoshkrim, dizajnim etj.). Kujdes duhet të bëni edhe me ndriçimin e dhomës, ndërsa ekranin mos e vendosni para ose përbri dritares, sepse kjo gjë mund të provokojë verbimin e syve prej reflektimit të madh të dritës.

Përdorni një karrige të mirë dhe sistemohuni në mënyrë komode: Puna për orë të tëra në pozicionin ulur mund të shkaktojë kontraktim të muskujve të qafës, të supeve dhe të shpinës. Këtë rrezik mund ta reduktoni duke zgjedhur një karrige të rehatshme. Përdorni një mbështetëse këmbësh nëse jeni të shkurtër ose nëse tavolina është më e lartë, një jastëk në karrige.

Mbroni kyçet e duarve: Për të parandaluar këtë problem, sistemojeni tastierën në një distancë prej 10-15 centimetrash nga fillimi i tavolinës dhe mundohuni t’i mbani bërrylat tuaj në kënd të drejtë, duke mos i lakuar ose duke mos i mbështetur në buzë të tavolinës. Zgjidhni një maus të përshtatshëm me madhësinë e dorës suaj dhe mos e shtrëngoni shumë atë, sepse kjo mund t’ju shfaqë probleme te muskujt e gishtave.

Bëni pushime të rregullta: Lodhja vizive, dhembja e kokës dhe shqetësimet e të parit mund të shfaqen nëse nuk bëni një pushim me intervale të rregullta. Është e rastit të bëni pushime të vazhdueshme, jo domosdoshmërisht të gjata, por nuk është e nevojshme të qëndroni më shumë se dy orë pa lëvizur fare.

Pini ujë: Një dhomë me temperaturë shumë të nxehtë kontribuon në rritjen e lodhjes dhe është e rrezikshme për qarkullimin e gjakut, ndaj pini mjaftueshëm ujë. Ky veprim, përveç të tjerash, do t’ju ndihmojë që të mos abuzoni me kafenë dhe të mos pini shumë duhan.

Eliminoni faktorët e stresit: Është e nevojshme që të mos të punoni nën tension. Është vërtetuar se stresi rrit mundësinë e shfaqjes së çrregullimeve muskularo-skeletore. Mos i nënvlerësoni aftësitë tuaja të punës dhe përpiquni të organizoheni sa më mirë për të fituar kohën e duhur.

Bëni pak gjimnastikë: Për të qetësuar qafën, shpinën, gishtat dhe kyçet e duarve, nuk ka asgjë më të mirë sesa ushtrimet fizike. Gjatë pushimeve të shkurtra, ”rrotullojini” kyçet e duarve. Zgjateni shpinën sikur doni të arrini tavanin dhe lëvizeni kokën, po ashtu dhe shpatullat.

Bëni pak gjimnastikë edhe për sytë: Edhe ushtrimet për sytë janë shumë të domosdoshme. Pa lëvizur kokën, shikoni disa herë lart dhe poshtë. Të njëjtën gjë bëni edhe duke shikuar sa më larg të mundni, një herë majtas dhe një herë djathtas.

Në rastin e problemeve më të avancuara, këshillohuni te mjeku: Nëse ndieni shpesh djegie të syve ose keni përshtypjen se nuk shihni aq mirë si më parë, vizitohuni te mjeku specialist. Disa teste bëjnë të mundur vlerësimin e aftësive vizive, ndërsa tregojnë nëse keni nevojë për syze ose lente kontakti.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.